Zjarret në Kaliforni kanë shkrumbuar një qytezë ndërsa u janë afruar zonave të banuara përreth Los Anxhelesit. Deri tani llogariten 5 viktima, por autoritetet druhen se mund të jenë shumë më tepër.
Autoritetet në shtetin e Kalifornisë kanë vijuar me evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve në rrethinat e Los Anxhelesit, për shkak se zjarret e rëna të enjten po avancojnë drejt zonave të banuara. Sipas të dhënave të fundit të mediave amerikane, në jug të qytetit të ëngjëjve flakët kanë arritur deri në autostradën 101, një aks shumë i rëndësishëm për transportin rrugor, si dhe në zona të ndryshme bregdetare, përfshirë Malibunë dhe Kalabasas, ku ndodhen shtëpitë e yjeve të showbiz-it.
Të ndihmuara nga era, flakët kanë përfshirë edhe qytete të tjera në veri të Kalifornisë, ku lokaliteti Perëdajs është shkrumbuar i tëri. Autoritetet kanë deklaruar se në qytetin me mbi 26 mijë banorë të paktën 5 persona kanë vdekur, por do të duhen ditë të tëra për të verifikuar nëse ka viktima të tjera. Zjarri ra të enjten në afërsi të lokalitetit Thauzënd Oks, rreth 64 kilometra në veri-perëndim të Los Anxhelesit, ku u evakuuan 75 mijë shtëpi. Ndërkohë, autoritetet kanë urdhëruar edhe boshatisjen e qytetit Çiko, me 93 mijë banorë.
Përveç se nga shtëpitë, banorët janë larguar nga skuadrat e shpëtimit edhe nga shkollat dhe spitalet, ndërsa të tjerë që po largoheshin me automjete, i kanë braktisur ato dhe kanë marrë me vete fëmijët dhe kafshët shtëpiake për t’u larguar në këmbë. Aktualisht, saktësojnë autoritetet, janë aktive 16 vatra zjarresh dhe rreziku është kategorizuar në nivelin ekstrem. Rajoni i Kalifornisë përfshihet shpesh nga zjarret, më i keqi prej të cilëve ishte ai i vitit 2017./abcnews.al