Autostrada Laç-Mamurras tashmë do të ketë linjen e re të tensionit të mesëm në të dyja kahet e saj, investim i cili kap vlerën prej 468 milionë lekësh. Gjatë inspektimit të punimeve, ministrja Belinda Balluku deklaroi se ky investim do të ulë humbjet në rrjet dhe do të sjellë zhvillim ekonomik përgjatë gjithë zonës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me OSHE bëjnë të mundur ndërtimin e linjës së re të tensionit të mesëm në autostradën Laç-Mamurras. Investimi në të dyja kahet e autostradës kap vlerën prej 468 milionë lekësh dhe ka një gjatësi 33 km rrjet kabllor në tension të mesëm, si dhe është shtrirë rreth 25 km rrjet i tensionit të ulët.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve theksoi se synimi është edhe rritja e kapaciteteve me më tepër se 1500 abonentë.
Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: “Ky është një investim prej 468 milionë lekësh dhe çfarë është më e rëndësishmja përveç faktit që ndihmon bizneset e zonës për të zhvilluar më tej investimet e tyre ka ulur humbjet të cilat janë objektivi kryesor për përmirësim që ne në OSHEE kemi, dhe kjo është diçka për t’u shënuar. Padyshim rritja e kapaciteteve edhe më tepër se 1500 abonentë është synimi ynë edhe në këtë projekt”.
Ministrja Balluku e cilësoi investimin mjaft të rëndësishëm edhe për zhvillimin ekonomik të zonës.
Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: “Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, kryesisht në mbështetje te bizneseve të zonës, sepse siç thamë këtu janë të vendosura bizneset më të mëdha të zonës, por sigurisht ndikon dhe tek abonentët tek familjarët për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimit”.
Investimi në të dyja kahet e autostradës Laç-Mamurras, ka bërë të mundur reduktimin e humbjeve në rrjet dhe ka ulur problematikat dhe defektet në kabinat elektrike. /abcnews.al