Autoriteti i Konkurrencës arriti vitin e kaluar të vjelë disa prej gjobave të vendosura prej Komisionit të Konkurrencës, për herë të parë që nga viti 2018.
Sipas informacionit në raportin vjetor të këtij institucioni, vitin e kaluar u arkëtuan nga gjobat të ardhura në shumën e 26.3 milionë lekëve.
Kjo shumë ishte pothuajse e njëjëtë me të ardhurat e siguruara nga tarifat e vlerësimit të përqendrimeve mes ndërmarrjeve. Të ardhurat totale, në shumën e 52.4 milionë lekëve, vitin e kaluar mbuluan rreth 73% të shpenzimeve faktike të këtij institucioni.
Autoriteti i Konkurrencës raporton se gjatë vitit 2022, nëpërmjet procedurave të ndjekura pranë gjykatës, ka nxjerrë 20 urdhëra ekzekutimi për mbledhjen e gjobave të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës. Nga këto vendime, janë ekzekutuar gjashtëmbëdhjetë dhe janë në proces ekzekutimi katër të tjerë.
Edhe për vitin 2022, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjoba në vlera të konsiderueshme ndaj ndërmarrjeve, kryesisht për sjellje të bashkërenduara ose marrëveshje të ndaluara, moszbatim të vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës dhe për abuzim me pozitën dominuese.
Vlera më e madhe e gjobave të vendosura i takon tregut e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, nitrat dhe ure`.
Në mar të vitit 2022, Autoriteti i Konkurrencës gjobiti tre ndërmarrje që veprojnë në këtë treg me një shumë totale prej 192 milionë lekësh, për sjellje të bashkërenduar dhe ndarje të tregut të produkteve.
Gjithashtu, në tetor të vitit të të kaluar, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjobitjen e ndërmarrjes Bankers Petroleum në shumën e 19.86 milionë lekëve, për moszbatim të vendimeve të Komisionit të Konkurrencës, të viteve 2020 dhe 2021.
Në nëntor të vitit 2022, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjithashtu një gjobë në shumën e 1.6 milionë lekëve për kompaninë Star Parking në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Tirana International Airport.
Veç vendimeve të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës ka gjoba të mbartura dhe të paekzektuara edhe nga vitet e mëparshme.
Vendimet e këtij institucioni janë titull ekzekutiv, megjithatë subjekti i sanksionuar ka në çdo rast të drejtën t’i drejtohet gjykatës për ta kundërshtuar vendimin në themel ose për kërkuar pezullim të ekzekutimit të tij.
Shumë vonesa lidhen pikërisht me zgjatjen e proceseve gjyqësore. Rritja e çmimeve në dy vitet e fundit ka shtuar pritshmëritë e publikut ndaj Autoritetit të Konkurrencës për ndërmarrjen e masave që garantojnë funksionimin e konkurrencës së ndershme në tregje.
Por, zvarritja e gjatë ose edhe mosekzekutimi në praktikë i vendimeve ndikon negativisht në efikasitetin e punës së Autoritetit të Konkurrencës, si garant i funksionimit të konkurrencës së ndershme në tregje./Monitor