Autoritetet shqiptare nisin hetimet për kapjen e drogës në Maltë

schedule16:10 - 16 Prill, 2019

schedule 16:10 - 16 Prill, 2019

Pas një pretendimi te mediave malteze se kokaina  e sekuestruar të dielën në portin e Friportit do të kishte destinacion Shqipërinë dhe Greqinë, Departamenti i Drejtorisë Kriminale në policinë e Shtetit ka nisur verifikimet.

Burime nga Policia e Shtetit pohojnë se nga hetimet e përbashkëta me homologët e “Interpolit”, Shqipëria dhe konkretisht porti i Durrësit nuk rezultojnë të kenë qenë destinacioni i 91 kg kokainë.

Por të njëjta burime nga grupi i hetimit pohojnë se po bashkëpunohet edhe me autoritetet italiane, pasi dyshohet se shqiptarë pjesëtarë të mafias italiane, mund të jenë përfshirë në këtë trafik të kokainës.

Mediat malteze pohuan se droga kapte vlerën e 10 milionë eurove ndërsa kokaina ishte e fshehur në tre konteinerë të nisur nga Amerika e Jugut, dy prej të cilëve kishin si destinacion portin e Durrësit në Shqipëri dhe një tjetër atë të Selanikut në Greqi.

Burime nga grupi hetimor thanë se, do të kërkohet bashkëpunim me palën malteze për të parë nëse porositësit e lëndës narkotike janë shtetas shqiptare dhe se cili do të ishte destinacioni final i saj.

Autoritetet malteze sqaruan se agjentët e doganave, zgjodhën një seri kontenierësh për të skanuar dhe pas konstatimit të disa parregullsive në dokumentacion, ushtruan një kontroll fizik, përmes të cilit zbuluan kokainën që ishte fshehur në një pjesë frigoriferike./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!