Autoritetet kolumbiane “zbërthejnë” grupin e bosit shqiptar, trafikonin 20 ton kokainë në muaj

schedule20:22 - 4 Nëntor, 2021

schedule 20:22 - 4 Nëntor, 2021

“Zbërthehet” banda kriminale e trafikut të drogës “Clan del Golfo” e cila shtrihet në 28 vende, mes të cilëve edhe Shqipëria. Sipas Reuters, autoritetet kolumbiane u përqendruan në shkatërrimin e kësaj bande pas kapjes së Dairo Antonio Usuga, liderit të grupit në fund të muajit të kaluar.

Usuga, i njohur ndryshe si “Otoniel”, ishte bosi i drogës më i kërkuar, ndërsa grupi i tij ka lidhje me pesë kartele të mëdha droge duke arritur të shpërndajnë 20 ton kokainë në muaj.

“Pesë mafioze dhe kartele ndërkombëtare janë drejtuesit me të cilët trafikon Clan del Golfo: Jalisco Nueva Generacion dhe Sinaloa në Meksikë, mafia Calabresa dhe Siciliana në Itali dhe rrjetet ballkanike”, tha gjenerali Jorge Luis Vargas, drejtori i policisë së shtetit në Kolumbi.

Grupi rezulton se e ka shtrirë aktivitetin e tij kriminal drejt SHBA përmes Amerikës qendrore, Belgjikë, Spanjë, Holandë, Gjermani, Francë, Irlandë, Britani, Itali, Shqipëri dhe Ukrainë. Ai ka lidhje deri në Iran, Kinë, Australi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Vargas.

Tashmë pritet ekstradimi i Otoniel në Shtetet e Bashkuara për akuzat e trafikut të drogës, por Vargas nuk dha një datë për procedurën. Analistët thonë se arrestimi i Usugës mund ta ndajë Klanin në grupe të vogla ose të shkaktojë një luftë të brendshme, por nuk ka gjasa të ndikojë në dërgesat e drogës.

Në korrik të këtij viti DEA amerikane shkatërroi rrjetin e trafikantëve ndërkombëtar të kokainës në Kolumbi, të drejtuar nga shqiptari Agim Çerma. I njohur si “Jimmy”, trafikanti nga Lushnja u vu në pranga brenda shtëpisë së tij në qytetin Palmira.

Sipas mediave kolumbiane, shqiptari bashkëpunonte me “Clan del Golfo” në pjesën jugperëndimore të vendit për të blerë kokainë dhe për ta transportuar, ndërsa kishin korruptuar kontrollorët ajrorë të trafikut për të lëvizur të qetë.

Paratë hynin në Kolumbi përmes ndërmjetësve financierë ndërsa kontrollorët e trafikut ajror dhe personelin e mbikëqyrjes aeronautike, lejonin nisjen e fluturimeve, drejt Shteteve të Bashkuara dhe Europë. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!