Automjetet e destinuara për shitje zaptojnë parkingjet publike

schedule14:43 - 28 Tetor, 2018

schedule 14:43 - 28 Tetor, 2018

Të gjesh një vend parkimi në kryeqytet, shpesh kthehet në një sfidë të madhe për përdoruesit e automjeteve. Duke mos mjaftuar me kaq edhe automjetet e destinuara për shitje zënë një pjesë të madhe të hapësirave të parkingut publik, ku një pjesë e tyre qëndrojnë me jave dhe muaj të tërë deri sa t’u dalë blerësi.

Trafiku i rënduar dhe shtimi i numrit të automjeteve gjithnjë e më tepër në kryeqytet, prej kohësh është kthyer në një sfidë për të gjithë ata që duan të gjejnë një vend parkimi për automjetin e tyre. Ajo ç’ka e rëndon më tepër këtë situatë është edhe fakti se në disa zona të kryeqytetit janë të parkuara prej kohësh ndoshta edhe muajsh të tërë automjete të cilat janë për shitje.
Kjo është panorama pranë rrugës ‘Hoxha Tahsim’ si dhe pranë ish-parkut të autobusave.

Qytetarët kanë ngritur zërin për automjetet të cilat kanë mbishkrim shitet, por pavarësisht kësaj dhe fushatave të ndërmarra nga bashkia për zhvendosjen e tyre, situata vijon të jetë e njëjtë. Jashtë kameras shumë qytetarë dhe drejtues automjetesh shprehen se instancat përkatëse duhet të marrin masa që ky fenomen i shitblerjeve të automjeteve në rrugë të marrë fund dhe hapësirat për parking t’u kthehen përdoruesve të automjeteve të cilët sorrollaten me minuta dhe ndoshta orë të tëra për të parkuar në kryeqytet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!