Austria merr zyrtarisht drejtimin e presidencës së BE, fokusi tek emigracioni

schedule12:12 - 1 Korrik, 2018

schedule 12:12 - 1 Korrik, 2018

Austria ka marrë zyrtarisht drejtimin e presidencës së Bashkimit Europian. Kryeministri Sebastian Kurz nënvizoi se fokusi i punës 6 mujore do të jetë emigracioni dhe mbrojtja e kufijve të Unionit.

Fillimi i muajit korrik shënon edhe ndërrimin e shtetit që drejton Bashkimin Europian. Austria zyrtarisht ka marrë përsipër presidencën e radhës së Unionit, dhe për herë të parë kryesinë e ka një koalicion populistësh i krahut të djathtë. Shteti austriak me të marr këtë detyrë, është zotuar se do të sigurojë më mirë kufijtë e jashtëm të bllokut prej 28 vendesh.

Në një ceremoni më 30 qershor jashtë qytetit alpin të Schladming, kancelari austriak Sebastian Kurz tha se presidenca gjashtëmujore është “një nder për të, por gjithashtu një përgjegjësi e madhe”. “Ne e dimë se mjedisi ndërkombëtar është i vështirë tani,” tha Kurz. Kryeministri bullgar Bojko Borisov, Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk dhe kryeministri austriak Sebastian Kurz morën pjesë në ceremoninë e dorëzimit në qytetin austriak Schladming.

Kurz, i cili mori drejtimin pasi fitoi zgjedhjet vitin e kaluar dhe u bë kreu më i ri i qeverisë së një vendi të BE-së në vetëm 31 vjeç, tha se motoja e presidencës austriake do të ishte: “Një Europë që mbron”. Kjo nënkupton se ai do të vijojë të shtyjë përpara reforma kundër emigrantëve. Megjithatë, analistët mendojnë se presidenca e Austrisë do të hasë shumë probleme dhe kundërshtime nga vendet anëtare që mbështesin politikat e kufijve të hapur dhe pritjen e refugjatëve.

Ndërsa, sa i përket zgjerimit, Vjena mbështet rrugëtimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!