Austria do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Presidenti i vendit ka pranuar kërkesën e kancelarit Sebastian Kurc pas publikimit të një video-skandali, ku zëvendësi i tij shfaqej i përfshirë në një aferë korrupsioni.
Presidenti i Austrisë, Aleksander Van der Belen vendosi të dielën mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në shtator, me argumentin se dëshiron të rikthejë besimin tek qeveria pas një video-skandali. Ishte kancelari Sebastian Kurz që kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja ditën e shtunë, pasi zëvendësi i tij Hajnc Kristian Shtrahe dha dorëheqjen pasi shfaqej në video teksa diskutonte dhënien e tenderave qeveritarë me një investitor rus.
“Është me rëndësi që austriakëve t’u jepet shansi për një fillim të ri me qëllim rindërtimin e besimit tek qeveria”, deklaroi presidenti Van der Belen nga rezidenca e tij në Vjenë.
Sipas tij, ky fillim i ri duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur dhe shtatori është muaji i duhur në bazë të Kushtetutës federale. Nga ana e tij, Shtrahe e cilësoi videon një karrem të përgatitur nga rivalët e tij për ta vrarë politikisht.
Në reagimin e tij ditën e shtunë, ai insistoi se nuk kishte kryer asnjë abuzim financiar dhe se i vetmi krim që ishte kryer ishte ai i filmimit ilegal të një takimi privat. Van der Belen dhe Kurz thanë në deklaratën e përbashkët për shtyp se stabiliteti i vendit do të jetë prioriteti i tyre në muajt e ardhshëm.
Për Kurc, zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e krizës. “Ato janë një domosdoshmëri, jo një dëshirë”, tha kancelari. /ABC News Albania 24/7