Natyrisht, superfuqia në pishinë vjen nga përtej Atlantikut.
Notarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të triumfojnë në Lojërat Olimpike edhe këtë herë, por gjithsesi, rivaliteti duket se do të jetë më i madh.
Në krye të tabelës së medaljeve pas garave të para është Australia, një tjetër shtet me traditë të madhe, ka fituar deri tani dy të arta dhe dy medalje argjendi, me “Kangurët” që triumfuan në 400 metra stil I lirë për femra dhe në stafetën 4×100 metra stil i lirë për femra.
Në garën e parë triumfoi 23-vjeçarja Ariarne Titmus me kohën 3’57”49, duke lënë bindshëm prapa kanadezen Summer McIntosh, me këtë të fundit që e përfundoi garën me 88 të qindat prapa, ndërsa medaljen e bronzit e mori legjenda amerikane e notit, Katie Ledecky.
Amerikania 27-vjeçare synon të jetë notarja femër me më shumë të arta në historinë e Olimpiadave dhe madje sportistja më e dekoruar.
Në 4×100 metra stil i lirë për femra, Australia ia doli me kohën 3’28”92, me ekipin kampion vendosi rekord të ri olimpik duke dominuar në pishinë.
Skuadra amerikane, që mori medaljen e argjendit mbeti 1”28 prapa, dhe mezi la prapa një stafetë kineze që ishte në formë të shkëlqyer, dhe pranoi bronzin për 10 të qindat vonesë.
Amerikanët e fituan të artën e tyre falë stafetës 4×100 metra stil i lirë për meshkuj. Koha e kampionëve ishte 3’09”28, me diferencë 1”07 nga Australia që doli e dyta.
“Kangurëve” nuk u bëri punë fakti se notari i tyre, Kyle Chalmers dha kohën më të shpejtë nga të gjithë në 100 metrat e tij, 46”59. Në vendin e tretë doli skuadra italiane, që mbeti 35 të qindat pas Shteteve të Bashkuara.
Sukses edhe për Gjermaninë, që u rikthye në fuqi e notit. Europianët u nderuan nga Lukas Mertens që triumfoi në 400 metra stil i lirë për meshkuj. Medalisti i artë e mbylli garën me 3’41”78, ndërsa në vend të dytë doli Winnington i Australisë dhe i treti koreanojugori Kim Woomin. /i.m /abcnews.al