Australia i anulon vizën tenistit të famshëm Novak Djokovic

schedule05:52 - 6 Janar, 2022

schedule 05:52 - 6 Janar, 2022

Yllit të tenisit Novak Djokovic i është anuluar viza për të hyrë në Australi pasi mbërriti në qytetin e Melburnit. Numri një i botës u mbajt për disa orë në aeroportin e qytetit përpara se forcat e kufirit t’i komunikonin që nuk përmbushte kushtet për të hyrë dhe që do të dëbohej. Ai është dërguar në një hotel paraburgimi qeveritar dhe do të pres atje derisa të largohet me një fluturim dalës.

Djokovic nuk ka folur për statusin e tij të vaksinimit por vitin e kaluar ai deklaroi që ishte kundër vaksinimit. Tenis Australia konfirmoi që lojtarit i ishte dhënë një dokument nga dy panele të pavarura që e përjashtonin atë nga vaksinimi, por problemet e tij nisën pas mbërritjes në qytetin e Melburnit. Forca Kufitare Australiane në një deklaratë të saj tha që Djokovic dështoi që të siguronte provat e duhura për të hyrë në Australi dhe për këtë arsye viza e tij është anuluar.

Kryeministri Australian Scott Morrison mohoi se Djokovic po veçohet dhe tha që ai nuk është mbi ligjin raporton “BBC”. Në një konferencë për shtyp ditën e enjte, zoti Morrison deklaroi se dokumenti që e përjashtonte tenistin nga vaksinimi ishte i pamjaftueshëm për të hyrë në vend. “Reuters” raportoji që ai është dërguar nga aeroporti në një hotel të qytetit të Melburnit ku mbahen emigrantët e ndaluar. Hoteli ka qenë një vend që ka pasur shpërthime të Covid-19 dhe ka rënë një zjarr kohët e fundit sipas mediave lokale.

Ministri i Shëndetësisë së Australisë, Greg Hunt e përshkroi trajtimin e Djokovic si të fortë por të drejtë dhe që është një rregull për të gjithë nën këtë qeveri australiane. Trajtimi i tenistit ka shkaktuar zemërim në vendin e tij të lindjes Serbinë. Babai i tij deklaroi që po mbahet në një dhomë në aeroport që ruhet nga policë.

Në një deklaratë të lëshuar për mediat ai tha se kjo nuk është një luftë e Novak por e gjithë botës. Presidenti Aleksander Vucic tha se ylli ishte viktimë e një ngacmimi dhe se gjithë Serbia po e mbështeste atë. Australia po sheh dhjetëra mijëra raste të Covid-19 për herë të parë pasi aplikoi kufizimet më të rrepta në botë. Më shumë se 90% e popullsisë mbi 16 vjeç është plotësisht e vaksinuar por ende disa njerëz nuk mund të udhëtojnë brenda vendit ose jashtë tij për shkak të masave kufizuese.

Shumë australianë e kishin akuzuar më parë qeverinë se lejonte të famshmit dhe të pasurit të bënin çfarë të donin, ndërsa njerëzit e zakonshëm mbeteshin të ndarë nga familjarët e tyre që ishin të sëmurë dhe po vdisnin. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!