Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka sugjeruar se secili vendim i Shteteve të Bashkuara për veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës, do të merret në konsultim me komunitetin ndërkombëtar.
“Secili veprim do të jetë pjesë e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Austin më 2 dhjetor, teksa ka qëndruar për vizitë në Korenë Jugore.
“Situata më e mirë do të jetë nëse nuk do të shohim sulm të forcave sovjetike në Ukrainë”, ka thënë ai duke e quajtur aksidentalisht Rusinë si ish-Bashkimi Sovjetik.
Austin ka bërë këto deklarata pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili do të takohet më 2 dhjetor me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavror në Stokholm, ka paralajmëruar Moskën që t’i japë fund prezencës ushtarake afër kufirit me Ukrainën, pasi në të kundërtën do të përballet me sanksione.
I pyetur nëse reagimi amerikan do të jetë vetëm ekonomik, Austin nuk ka pranuar të përgjigjet drejtpërdrejt, duke thënë se do të përdoren “metodat më të mira”.
Austin po ashtu i ka kërkuar Moskës që të jetë transparente për prezencën ushtarake dhe ka shfaqur shpresën që SHBA-ja dhe Rusia do të punojnë për të “zgjidhur çështjet dhe shqetësimet në rajon”.
Ukraina – e cila synon të bëhet anëtare e NATO-s, hap që është kundërshtuar ashpër nga Moska – ka thënë se Rusia është duke mbajtur mijëra trupa dhe pajisje të rënda afër kufirit të përbashkët, situatë që ka rritur shqetësimet për pushtim të mundshëm.
Rusia, e cila ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe përkrah separatistët që luftojnë kundër Kievit në luftën që ka lënë të vdekur më shumë se 13,200 njerëz në shtatë vjetët e fundit, ka hedhur poshtë sugjerimet se është duke planifikuar sulm dhe fajëson Ukrainën dhe përkrahësit e Perëndimit se janë duke nxitur tensione./REL