Dy deputetët e PD-së, Enkelejd Aliebaj dhe Ervin Salianji, si dhe koordinatori ligjor në PD, Gazmend Bardhi pritej të shkonin sot në 10:30 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me një procedim penal të nisur nga ky organ, pas transmetimit nga selia blu të një përgjimi audio, që sipas demokratëve, implikon vëllanë e ministrit të Brendshëm.
Prokuroria ka kërkuar që ata të pyeten në cilësinë e personit që ka dijeni lidhur me audiopërgjimin e publikuar prej tyre në selinë e PD-së, në të cilin pretendojnë se dëgjohet një bisedë mes Agron Xhafajt dhe një personi tjetër për trafik droge.
Por sot rreth 30 minuta para orës së parashikuar, selia blu konfirmoi zyrtarisht se 3 zyrtarët e PD-së nuk do të paraqiten sot pranë organit të akuzës, për shkak të angazhimit në seancën plenare të Kuvendit. Burimet bënë të ditur se Alibeaj, Salianji dhe Bardhi i kanë kërkuar Prokurorise të paraqiten në një tjetër moment për t’u pyetur lidhur me këtë çështje.
Fletë–thirrjet për ta mbërritën dje pasdite në selinë e PD-së. Ndërkohë për dy deputetët dhe ekspertin ligjor të PD-së ka edhe një tjetër çështje në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Ata janë kallëzuar penalisht për shpifje dhe mashtrim nga Agron Xhafaj, i cili pretendon se audiopërgjimi është i sajuar, pasi zëri në bisedë nuk është i tij./abcnews.al