Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krimet e Rënda lëshoi një urdhër arresti për Albert Veliun, i njohur si “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. Ata dyshohet se kanë inskenuar audio-përgjimin e pretenduar mes Veliut dhe vëllait të ministrit të Brendshëm. Kërkesa për masë erdhi pasi akt-ekspertiza britanike konstatoi se audio-përgjimi ishte i montuar.
Prokuroria për Krimet e Rënda i dha një kthesë të papritur hetimit të çështjes “Babalja”, lidhur me audio-përgjimin e publikuar nga PD si denoncim për përfshirjen e vëllait të ministrit të brendshëm në trafikun e drogës.
Prokurorët e çështjes, Përparim Kulluri dhe Gentian Osmani kërkuan arrestimin e Albert Veliut, të njohur si “Babalja”, personit që pretendoi të ketë bërë bisedën në fjalë me Agron Xhafajn, për akuzën e “kallëzimit të rremë”, kërkesë që u miratua nga gjykata.
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, nga veprimet hetimore të kryera lidhur me audio-regjistrimin mes “Bashkëpunëtorit X” dhe Agron Xhafajt ekziston dyshimi se jemi para veprës “kallëzim i rremë”, në bashkëpunim, e kryer në formën e krijimit të provave të rreme me qëllim që të bëhet ndjekje penale.
Arrestimi i Babales u kërkua pak ditë pasi akt-ekspertiza teknike e kryer mbi audi-përgjimin në një laborator në Britaninë e Madhe mbërriti në duart e prokurorëve të Krimeve.
Sipas ekspertizës britanike, audio-përgjimi ishte i montuar dhe se në të nuk identifikohet zëri i Geron Xhafajt. Aktualisht Albert Veliu ndodhet në Kosovë, ku ka kërkuar azil politik.
Për akuzën e “kallëzimit të rremë” u caktua masa e sigurisë “arrest në burg” edhe për Fredi Alizotin, kunatin e Babales. Dyshohet se ai është personi tjetër që dëgjohet në audio-përgjim në rolin e Agron Xhafajt. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi, autori i investigimit gjatë të cilit u pretendua të jetë bërë audio-përgjimi u vendos detyrim paraqitje.
Të premten Prokuroria për Krimet e Rënda mori në pyetjes si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit deputetin demokrat Ervin Salianji. Deputeti tha se kishte depozituar prova të reja dhe pretendoi se prokuroria po zvarrit hetimin e dosjes./abcnews.al