Atletët olimpikë ukrainas dhe rusë mbajnë distancë nga njëri-tjetri

schedule16:52 - 4 Shkurt, 2022

schedule 16:52 - 4 Shkurt, 2022

Ndërsa tensionet shtohen mes Rusisë dhe Ukrainës, ekipet e tyre që marrin pjesë në Lojërat Olimpike i qëndrojnë në distancë njëri-tjetrit. Megjithëse nuk është dëgjuar ende për incidente mes tyre, Ukraina i ka këshilluar atletët e saj të shmangin kontaktet dhe i ka udhëzuar si të veprojnë në rast se provokohen.

Ndërsa forcat ruse janë grumbulluar pranë kufijve të Ukrainës, atletët e të dy vendeve kanë arritur një lloj paqeje të brishtë në Lojërat Olimpike të Pekinit, të ndihmuar edhe nga kufizimet për pandeminë, që kërkojnë distancimin fizik.

Ukraina i ka këshilluar atletët e saj të shmangin kontaktet me rusët dhe i ka udhëzuar si të sillen në rast se provokohen. Masat për pandeminë e kanë kufizuar, por nuk e kanë eliminuar ndërveprimin mes tyre.

“Nuk është se jemi miqtë më të mirë. Ne komunikojmë me ekipin tonë. Jemi miq me sllovakët, të cilët i ndihmojmë. Nuk duam të kemi kontakte me rusët”, thotë Lidiia Hunko, atlete ukrainase në garën e rrëshkitjes me slitë në akull.

Ajo thotë se puna e një atleti në Lojërat Olimpike është të fitojë medalje dhe të përfaqësojë denjësisht vendin, por jo të mbajë qëndrime politike.

“Erdhëm në Lojërat Olimpike për të konkurruar dhe për të arritur rezultatet më të mira. Nuk përfshihemi në konflikt. Nuk na afrohen dhe ne nuk i përgjigjemi konfliktit. Në çdo rast, janë medaljet që do të kenë domethënie për vendin tonë”, thotë zonja Hunko.

Megjithëse nuk ka dëgjuar për incidente mes konkurrentëve nga dy vendet, ajo thotë se tensionet politike në rritje kanë ndikuar tek atletët olimpikë të Ukrainës.

“Situata ndikon tek ne pasi të gjithë kemi familjet, kemi miqtë atje. Sigurisht që i trajtojmë njerëzit si individë të veçantë, por kjo lë shenjën e saj”, thotë zonja Hunko.

Atletët ukrainas vazhdojnë të mos shprehen për situatën në atdhe. Komiteti Olimpik u ka kërkuar gazetarëve të mos iu drejtojnë pyetje për politikën, duke thënë se kjo do të ndikonte negativisht nga ana emocionale.

Atletët rusë konkurrojnë pa flamurin dhe himnin e tyre kombëtar për shkak të sanksioneve për dopingun. Ata theksojnë se deklaratat e ashpra nga politikanët e të dy vendeve nuk reflektohen tek ndërveprimi i tyre në Pekin.

Zyrtarët rusë janë shprehur se janë kundër politizimit të Lojërave Olimpike dhe kundërshtojnë bojkotin politik nga disa vende perëndimore. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!