Pushtimi rus mund të ketë shkatërruar jetën e tyre dhe i ka detyruar të largohen në Shqipëri, por tetë atletë të rinj ukrainas po vazhdojnë të ndjekin ëndrrat e tyre sportive.
Ndërsa katër vajzat adoleshente dhe katër djemtë përpiqen të nderojnë atdheun e tyre me sukses në sport, ato në mënyrë të pashmangshme shqetësohen për të dashurit e tyre në Ukrainë. “Kjo luftë ndryshoi jetën tonë, por nuk shkatërroi ëndrrat tona,” tha Mariya Larina.
Gjuajtësja 17 vjeçare e gjyles, e cila tashmë ka përfaqësuar Ukrainën në garat ndërkombëtare, synon të garojë në kampionatin botëror të të rinjve në gusht në Kolumbi. Ajo bëri emër në Kampionatin Evropian U-20 në 2021 në Estoni dhe po atë vit fitoi medaljen e argjendtë në kampionatin ballkanik U-18 në Serbi.
Atletët e rinj, kryesisht nga Bakhmut në rajonin lindor të Donetskut, lanë shtëpitë e tyre me zemër të rënduar kur stërvitja u bë e pamundur.
“Është shumë e vështirë të stërvitesh në Ukrainë tani,” tha Larina.
Të tetë, të shoqëruar nga dy trajnerë, u larguan nga Ukraina në fund të marsit, muajin pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt. Ata arritën në Shqipëri nëpërmjet Polonisë dhe udhëtimi i tyre u financua nga Komiteti Olimpik i Ukrainës. Hoteli i tyre në qytetin e Elbasanit paguhet nga autoritetet vendore.
Ndërsa të rinjtë ukrainas stërviten në stadiumin e Elbasanit, këngët e Dr. Dre, Dua Lipa dhe grupi ukrainas Dzidzio dëgjohen nga altoparlantët e vegjël portativë.
“Situata në të gjithë rajonin e Donetskut është e vështirë. Jetët e tyre janë në rrezik,” thotë ajo për familjarët e saj.
Pak ditë më parë ajo pa se një predhë i kishte rënë pranë shtëpisë. Larina tha se kur foli me të ëmën në telefon, nëna e saj ishte “shumë e frikësuar dhe unë nuk pushoja së qari”. Ajo tha se i ishte mirënjohëse Shqipërisë për pritjen e ngrohtë, por theksoi se “zemra jonë është në shtëpi”. Sportistë të tjerë të rinj ukrainas gjetën strehë në Bullgari, Itali, Turqi dhe në vende të tjera.
“Shumë nuk mund të largoheshin nga Ukraina dhe ne jemi të shqetësuar për fatin e tyre”, tha Pavlo Zadorozhniy, një nga dy trajnerët që shoqërojnë grupin.
Atleti i kërcimit për së larti, Valentyn Loboda, është jashtë Ukrainës për herë të parë dhe është ende në shok.
“Jeta ime ka ndryshuar. Unë jam në Shqipëri dhe familja ime është në Ukrainë”, tha 17-vjeçari.
“Nuk e mendoja se hera ime e parë jashtë vendit do të ishte kështu”.
Loboda flet me familjen e tij çdo ditë duke u përpjekur t’i qetësojë ata.
“Unë jam tashmë një burrë,” tha ai. “Më duhet të fshij lotët e mi dhe të qëndroj i qetë.”/ h.ll/abcnews.al