Athina përshëndet miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Shkup

schedule16:10 - 12 Janar, 2019

schedule 16:10 - 12 Janar, 2019

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese në parlamentin e Shkupit është përshendetur nga Athina zyrtare me telefonata dhe mesazhe urimi. Por opozita në vend ruan ende qëndrimin e saj kundër Marrëveshjes së Prespës.

Athina zyrtare ka përshëndetur miratimin e ndryshimeve kushtetuese në parlamentin e Shkupit. Menjëherë pas votimit, kryeministri grek Aleksis Tsipras i ka telefonuar homologut maqedonas, Zoran Zaev, dhe e ka përgëzuar për finalizimin e procedurës.

Zëdhënësja e shtypit e SYRIZA-s në pushtet, ka deklaruar se votimi i ndryshimeve kushtetuese në Shkup, është “një humbje për nacionalizmin dhe irredentizmin. Është një mesazh paqeje, bashkëpunimi dhe pajtimi në Ballkan. Të dy popujt nuk kanë asgjë për të ndarë, vetëm i bashkon një e ardhme e përbashkët”.

Promotori i Marrëveshjes së Prespës nga ana e Greqisë, ish-ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias, në një mesazh në Twitter, bën të ditur se ka shkëmbyer telefonata me shefin e qeverisë Zaev dhe shefin e diplomacisë maqedonase, Dimitrov.

“Fola me Zoranin dhe Nikollën. Kujtuam vështirësitë, lodhjen, tensionet, besimin dhe shpresat që kaluam duke punuar për marrëveshjen. Ëndërruam të ardhmen e përbashkët të dy popujve. Maqedoni e Veriut, mirë se erdhe në jetën tonë. Historia duhet të jetë shkollë dhe jo burg”, nënvizon ish-ministri i Jashtëm grek.

Nga Strasburgu, zv/presidenti i Parlamentit Europian, Dimitris Papadimoulis, që përfaqëson partinë e kryeministrit Tsipras, vë në dukje se tani është radha e Greqisë që të votojë Marrëveshjen e Prespës.

“Maqedoni e Veriut në vend të Maqedonisë, heqje e irredentizmit nga Kushtetuta, qartësim se “Prespa” flet për shtetësi, jo për kombësi. Maqedonia antike mbetet trashëgimi greke. Tani është radha jonë për të thënë PO, pa vonesa”, shkruan në rrjetin social Twitter Papadimoulis.

Nga partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ende nuk ka ndonjë reagim. Mirëpo kryetari i kësaj partie, Kyriakos Mitsotakis, pas takimit që pati të premten pasdite me kancelaren gjermane Angela Merkel, tha se i shpjegoi mysafires arsyet pse partia e tij nuk e voton marrëveshjen e Prespës.

Kyriakos Mitsotakis: “Jo thjesht pse marrëveshjen e kundërshton shumica dërrmuese e popullit grek. Por sepse është një marrëveshje e keqe që në vend se të zgjidhë probleme të vjetra në Ballkan, mund të krijojë probleme të reja. Dhe ky qëndrim i yni është i panegociueshëm”./abcnews.al