Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa thotë se atentatorët që kryen ekzekutimin e Kristian Markut, në autostradën Vlorë-Fier, kishin dijeni për lëvizjet e tij.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Softa u shpreh se kjo vrasje është kryer nga vrasës me pagesë.
Ndër të tjera, Softa shtoi se mund të kenë qenë më shumë se 3 autorë, të cilët kanë lëvizur me dy automjete.
“Atentatet po vijnë e po rriten. Është ngjarje shqetësuese, nuk është rasti i parë. Këto janë problemaatika, që tregon se krimi nuk është lokal, por kombëtar. Fakti që ky atentat është rrjedhojë, dyshohet, e një gjakmarrjeje, apo hakmarrjes, tregon se personat e përfshirë në gjakmarrje nuk janë nën kontroll. Fakti që atentatorët kanë pasuri njohuri, ose e kanë ndjekur nga qyteti i Tiranës, e kanë nxjerrë në pritë, ose kanë vendosur GPS në makinën e tij. Ata ishin të përgatitur, e dinin që do bënte një lëvizje të tillë. Unë besoj se kanë qenë më shumë se 3 persona. Mund të kenë qenë dy automjete. Me siguri do kemi vrasës me pagesë. Shumica e atentateve janë zbardhur. Në zbardhjen e tyre kanë ndikuar shumë faktorë, e para kamerat e sigurisë. Pastaj, gjurmët e mundshme kanë bërë të mundur kontrollin e banesave. Në rastin e djegieve të makinave, gjurmët janë shumë të vështira. Fakti që përdoren vrasje dhe nuk kemi autorë, mund të jetë një grup që veprojnë në këtë zonë të autostradës. Fakti që ai udhëtonte i vetëm drejt Vlorës, skema ka funksionuar”, theksoi ai./abcnews.al