Atentati në Don Bosko, merren në pyetje daja dhe vëllai i viktimës, dyshimet për makinën e autorëve

schedule11:22 - 6 Janar, 2022

schedule 11:22 - 6 Janar, 2022

Edmond Crroji, daja i 35-vjeçarit Erion Çela që u ekzekutua në një atentat me breshëri plumbash dy ditë më parë në zonën e Don Boskos, është marrë në pyetje nga policia. Burime bëjnë me dije për gazetaren Xhensila Kodra se është pyetur edhe vëllai i viktimës Blerim Çela.

Të dy ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me njeri dhe nuk ia kanë idenë se kush janë autorët. Megjithatë kjo deklaratë nuk i ka bindur hetuesit dhe ka dyshime se konflikti mes palëve ka nisur për shkak të pazareve të prishura të drogës.

Policia po ekzaminon edhe automjetin e Crrojit dhe banesat e të plagosurve, por nuk janë gjetur sende të kundraligjshme që mund të vihen në funksion të hetimit.

Nga ana tjetër, janë kryer kontrolle edhe në varreza makinash brenda dhe jashtë Tiranë. Policia e Tiranës ka kërkuar që të kontrollohen makina të ngjashme me atë të autorëve pasi ka dyshime se i kanë ndërruar targat dhe e kanë nxjerrë sërish në qarkullim për të humbur gjurmët.

Si ndodhi ngjarja e rëndë një ditë më parë

Atentati ndodhi rreth orës 16:15 të martën, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Personat e armatosur lëviznin me një automjet tip “Mercedes E Class” të zi dhe vetëm njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga jashtë në drejtim të lokalit, ku ndodheshin të ulur në një tavolinë viktima dhe personat e tjerë. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Erion Çela si dhe janë plagosur katër të tjerë, të cilët janë dërguar te spitali i Traumës.

Të plagosurit janë: Arben Dani 46 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, Edmond Crroj , 41 vjeç daja i viktimës dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit ishte klient në lokal i ulur në tavolinën ngjitur dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.  m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!