Atentati ndaj Trump, sondazhi: Pak amerikanë besojnë tek Shërbimi Sekret

schedule07:46 - 3 Gusht, 2024

schedule 07:46 - 3 Gusht, 2024

Shumica e amerikanëve dyshojnë tek aftësitë e Shërbimit Sekret për të mbrojtur kandidatët presidencialë pas përpjekjes së muajit të kaluar për të varë ish Presidentin Donald Trump, tregon një sondazh i ri nga Associated Press dhe Qendra NORC për Hulumtimin e Marrëdhënieve Publike.

Vetëm 3 në 10 amerikanë janë jashtëzakonisht ose shumë të sigurt se Shërbimi Sekret mund t’i mbajë kandidatët presidencialë të sigurt nga dhuna para zgjedhjeve, sipas sondazhit. Sondazhi zbuloi gjithashtu se rreth 7 në 10 amerikanë mendojnë se Shërbimi Sekret mban të paktën një sasi të moderuar përgjegjësie për atentatin.

Kjo agjenci e ngarkuar me mbrojtjen e presidentëve për më shumë se një shekull është vënë nën kritika intensive pasi një person i armatosur mundi të qëllonte kundër zotit Trump nga një distancë prej rreth 137 metrash me një pushkë të stilit AR. Ish Presidenti Trump u plagos në vesh, vetëm pak milimetra nga një goditje vdekjeprurëse.

Sondazhi u krye pas dorëheqjes së drejtoreshës Kimberly Cheatle, e cila u përball javën e kaluar me pyetje intensive në një seancë dëgjimore në Kongres që u transmetua drejtpërdrejt në televizor dhe në të cilën ajo dha përgjigje evazive.

Ushtruesi i ri në detyrë, Ronald Rowe, tha në fillim të kësaj jave ishte i “turpëruar” pas sulmit të 13 korrikut në Butler të Pensilvanisë. Ai tha se ishte i pambrojtshëm fakti që çatia e përdorur nga personi i armatosur të mos ishte e siguruar.

Gjatë një konference shtypi të premten, zoti Rowe e pranoi humbjen e besimit ndaj agjencisë nga populli amerikan. Ai tha se në përgjithësi, njerëzit i dinë vetëm dështimet e agjencisë dhe jo sukseset e saj.

Ai i vlerësoi punonjësit e agjencisë që punojnë në heshtje pas skenës për të mbrojtur tubimet politike, ditën e inaugurimit dhe ngjarje të tjera.

“Ne do ta fitojmë besimin tuaj”, u zotua ai.

Sondazhi gjeti se amerikanët besojnë se atentati ndaj zotit Trump mund të jetë ndikuar ndjeshëm nga ndarjet politike në vend.

Ndërsa 4 nga 10 amerikanë thonë se Shërbimi Sekret mban një nivel të lartë përgjegjësie, 4 në çdo 10 amerikanë të anketuar besojnë se përgjegjësi e madhe bie edhe tek disponueshmëria e gjerë e armëve.

Demokratët kishin shumë më tepër gjasa të fajësonin disponueshmërinë e armëve ndërsa republikanët kishin më shumë gjasa të fajësonin Shërbimin Sekret.

Demokratët kanë shumë më tepër gjasa se sa të pavarurit ose republikanët të thonë se një përgjegjësi e madhe bie tek disponueshmëria e armëve. Sondazhi tregon se 6 nga 10 demokratë të anketuar i fajësojnë armët, krahasuar me rreth një të tretën e të pavarurve dhe 15% të republikanëve.

Rreth gjysma e republikanëve mendojnë se Shërbimi Sekret ka një përgjegjësi të madhe, krahasuar me rreth 4 në 10 demokratë dhe të pavarur.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Sekret tha në fillim të kësaj jave se ishte për të ardhur keq që policia lokale nuk e kishte njoftuar agjencinë e tij përpara të shtënave, se një subjekt i armatosur ishte parë në një çati, ndërsa pranoi gjithashtu se Shërbimi Sekret mendonte se policia e shtetit dhe ajo lokale e kishin perimetrin nën kontroll.

Sondazhi gjeti se gjysma e amerikanëve mendojnë se policia në Pensilvani kishte të paktën një sasi të moderuar përgjegjësie për atentatin, megjithëse vetëm rreth 2 në 10 të anketuar thanë se kishte përgjegjësi të madhe.

Shërbimi Sekret u krijua fillimisht si pjesë e Departamentit të Thesarit për të hetuar falsifikimin e monedhës amerikane gjatë Luftës Civile. Agjencia filloi të mbronte jozyrtarisht presidentët në vitin 1894, sipas të dhënave të saj. Kongresi e caktoi Shërbimin Sekret me detyrën për të mbrojtur presidentët amerikanë pas vrasjes së Presidentit të 25 të Shteteve të Bashkuara, William McKinley në vitin 1901. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!