Atentati ndaj prokurorit Ndoj, reagon Basha: Krimi nuk e ka frikë shtetin, të zbardhet sa më parë

schedule21:00 - 1 Nëntor, 2019

schedule 21:00 - 1 Nëntor, 2019

Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj. Përmes një postimi në Facebook, Basha shprehet se ngjarja e sotme tregon se krimi nuk e ka frikë shtetin.

Kryedemokrati kërkon zbardhjen sa më parë të ngjarjes.

“Atentati ndaj një prokurori është ngjarja më e rëndë mafioze që mund të ndodhë në një vend. Ngjarja e sotme tregon se krimi nuk e ka frikë shtetin. Më e rëndë është situata kur kjo ngjarje kriminale u parapri nga kërcënime direkte të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit ndaj këtij prokurori, i cili nëse dyshohej se ka shkelur ligjin duhet të çohej para drejtësisë e jo të linçohej publikisht.

Zbardhja sa më parë e kësaj ngjarje të rëndë dhe vënia para drejtësisë e autorëve dhe porositësve të këtij krimi mafioz është jetike për të dëshmuar se shteti nuk ka kapitulluar totalisht para krimit.

Sonte dua të inkurajoj çdo prokuror dhe punonjës të ndershëm të policisë të luftojnë krimin dhe të mos gjunjëzohen para tij. E di se flas në emër të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, kur ju them se keni në këtë betejë simpatinë dhe mbështetjen mbarëpopullore, edhe kur kundër jush e në krah të krimit janë të implikuar segmentet më të larta të pushtetit”, shkruan Basha.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!