Në Gjykatë e u zhvillua të premten gjyqi ndaj Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçes, lidhur me atentatin e ndodhur 1 nëntor 2019 në Shkozet ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagosur ish-prokurori, sot deputeti i PD-së Arjan Ndoj dhe Pëllumb Muharremi i njohur ndyshe si Rrumi i Shijakut.
Arben Haxhia vëllai i Bashkim Haxhisë, ka rrëfyer një takim me Rrumin e Shijakut në një bar të vogël në Durrës, ndërsa ka shtuar se është kërcënuar nëpërmjet telefonit nga një numër i panjohur duke i thënë se do ti vrasin fëmijët.
Ndërkohë dëshmitari tjetër, Haxhi Murati ka deklaruar në seancë se merret edhe me pajtime gjaqesh. Ai tregon se është kontaktuar në telefon pasi kishte ndodhur atentati, nga babai i Redjan Rrajës, Asllan Rraja, i cili i ka kërkuar Haxhi Muratit të shkojë tek familjarët e viktimës për t’i kërkuar këtyre të mos marrin hak pa u zbardhur plotësisht ngjarja.
“Nuk kam dijeni për ngjarjen. Asllan Rrajën e njoh, pasi ka ndodhur ngjarja më ka ardhur tek shpia, do shkosh në Shijak me u fut për mos me u zgjeru më shumë pushka. Merrem me pajtime gjaqesh, kemi ndërhyrë është bërë ça është bërë mos bëhet më pushkë kot sa të zbardhet ngjarje. I kam thënë Asllanit ti nuk zbardhe asgjë, ne tërhiqemi, i kërkuam falje familjes së viktimës për shqetësimin. Djali i Asllanit kishte një biznes në Fushë-Krujë, për dhëmbët. E mësuam nga TV që u arrestua. Redjan Rrajën se njoh, fëmijët e Asllanit si njihja, vetëm deputetin kam njohur, vëllain e tyre.”
Në seancë ka folur edhe dëshmitari tjetër Stiven Meziu, i cili ka qenë me një makinë pas ish-prokurorit Arjan Ndoj.
“Aleksandër Lahon ka kohë që e njoh, jam shoqëruar me të gjatë 2019. Në 1 nëntor të 2019 kam qenë me Aleksandër Lahon, kemi lëvizur atë ditë me një makinë Benc, që ishte në pronësi të dikujt tjetër. Jemi takuar Unë, Andi Maloku, Pëllumb Muharrem dhe prokurori Arjan Ndoj më pas kemi lëvizur, para ka qenë makina e Arjanit pas atij kam qenë unë me makinën që lëvizja me Pëllumbin. Sa kemi hyrë në autostradë kanë nisur të qëllojnë makinën e Prokurorit dolën paralel. Pastaj nuk kam parë asgjë sepse kam ndaluar për të dhënë ndihmën e parë. Jam takuar me Pëllumb Muharremin, pas ngjarjes, por ai nuk më ka thënë asgjë, pse ka ndodhur kjo ngjarje, sepse ai s’ka pasur konflikte. Për autorët, nuk dimë asgjë, vetëm nëpërmjet mediave. Nuk i njoh Plarent Dervishajn dhe as Julian Mecen vetëm nëpërmjet medias” / abcnews.al /


