Atentati i dështuar në Selitë/ Dëshmon Zamir Kalemi: Nuk kam konflikte, s’di asgjë për autorët

schedule12:06 - 14 Janar, 2024

schedule 12:06 - 14 Janar, 2024

Dy ditë pas atentatit të dështuar në Selitë, policia ka marrë në pyetje Zamir Kalemin për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton 41 vjeçari që mbeti i plagosur ka dhënë sqarime në lidhje me konfliktet që mund të ketë pasur kohët e fundit apo njerëz të afërt të tij.

LEXO EDHE: I shpëtoi atentatit në Tiranë, kush është Zamir Kalemi/ Lidhja me sagën e vrasjeve Papa-Sadikaj

Por 41-vjeçari ka mohuar të ketë patur konflikte dhe në të njëjtën kohë nuk kishte dijeni se kush mund të jenë autorët. Madje, ai ka treguar se e ka patur të pamundur të identifikojë ndonjë prej tyre për shkak se ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe ata janë larguar. Kalemi ka treguar edhe itinerarin që ka përshkruar të premten.

Ai ka thënë se në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë duke u kthyer nga një lokal ku ishte me miqtë e tij, por u sulmua teksa po shkonte në shtëpi. Zamir Kalemi është vëllai i Andrea Kalemit, i ndodhur në burg në Greqi, dhe i afërm i Aleksandër Sadikaj që u vra me shpërthim tritoli në kryeqytet verën e vitit 2022.

Andrea Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor 2022. Kujtojmë se Andrea Kalemi në vitin e fundit ka patur 2 tentativa për ta eleminuar fizikisht. Fillimisht në Greqi në një zonë turistike dhe së fundmi në burg, ku ndodhet i arrestuar në shtetin fqinj./abcnews.al