Nevzat Spaho i arrestuar për vrasjen e biznesmenit Mond Mëhalla në Elbasan do të qendrojë në burg.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit dhe vlerësoi të ligjshëm ndalimin duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 29 vjeçarin i cili dyshohet të ketë pasur rolin e ekzekutorit.
Në seancën që zgjati rreth tre orë, avokati mbrojtës dhe vetë Nevzat Spaho kërkuan një masë më të butë me pretendimin se ndalimi ishte i pabazuar, por gjykata tha se provat e administruara justifikojnë mbajtjen e 29 vjeçarit në qeli.
Kështu Nevzat Spaho do të qëndrojë në burg të paktën deri kur prokurori të mbyllë dosjen dhe ta dërgojë për gjykim.
Spaho nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Më herët ai është dënuar për tentativë vrasje, kanosje, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.
Për vrasjen e biznesmenit Mond Mëhalla, një ditë më parë Gjykata e Elbasanit la në burg dhe ish ortakun në biznes të viktimës, Xhino Ago I cili dyshohet se është porositësi I vrasjes dhe rojen e karburantit Kujtim Pisha për moskallzim krimi.
Mond Mëhalla u ekzekutua të dielën e 30 nëntorit brenda automjetit të tij.
Policia po vijon kërkimet për gjetjen e dy personave të tjerë, Marselo Arani dhe Armando Kola si të përfshirë në atentat./abcnews.al

