Atentat i mirëorganizuar, pistat ku po heton policia për vrasjen e Edmond Çekiçit

schedule12:38 - 20 Mars, 2021

schedule 12:38 - 20 Mars, 2021

Ekzekutimi i Edmond Koçit i njohur si “Mond Çekiçi” në Durrës mëngjesin e sotëm ka qenë i mirëmenduar. Gazetari Leonidha Musaj raporton se dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë tre persona.

Ata kanë lënë gjurmë që do të shërbejë për hetimet e policisë. Prova më e fortë e grupit të hetimit është dëshmitari në vendngjarje, i cili ka parë të gjithë skenën e krimit.

Bëhet fjalë për personin me të cilin po udhëtonte Edmond Çekiçi, i cili drejtonte automjetin tip Benz. Personi me të cilin po udhëtonte 40-vjeçari ishte shoku i tij. Ky i fundit në momentin që autorët i kanë prerë rrugën ka dalë nga makina.

Në këtë moment Edmond Çekiçi ka hapur derën e automjetit për të dalë dhe ka pyetur çfarë po ndodh. Ndërkohë, që personi që ndodhej në automjetin tjetër ka qëlluar me breshëri drejt tij, duke i marrë jetën në vend.

Lexo edhe: Pjesë e bandës së Durrësit, kush është Edmond Çekiçi: Doli nga burgu prej Covidi-t

Nga të dhënat nga hetimi bëhet me dije se atentati ka qenë i mirëorganizuar nga autorët. Këta të fundit e kanë vëzhguar prej kohësh, ndërsa e kanë ekzekutuar në një zonë me pak lëvizje, dhe shumë pak biznese, ku mungojnë kamerat e sigurisë.

Policia ka ngritur disa pista hetime, ku përfshihen, prishja e pazareve të drogës, konfliktet e hershme. Një prej pistave është edhe vrasja e Ilir Kuçit disa javë më parë. Edmond Çekiçi u ekzekutua sot pothuajse në të njëjtin vend ku edhe iu bë atentat Kuçit më 25 janar.

Edmond Çekiçi ishte personazh i njohur për policinë e Durrësit pasi është skeduar si anëtar i bandës së Lulzim Berishës. Çekiçi është arrestuar dhe dënuar disa herë. g.v/abcnews.al