Atalanta u kualifikua për në Champions, për herë të parë në historinë e saj. Skuadra modeste fitoi konkurrencën me Interin, ndërsa Milani mbeti sërish jashtë Ligës së Kampionëve.
Padyshim që mund të quhet një mrekulli.
Kualifikimi i Atalantës në Ligën e Kampionëve ishte vërtet një ngjarje e madhe, nga më të rëndësishmet në Serinë A, dhe në futbollin europian, dhe kjo bëhet edhe më e shkëlqyer kur shikon se kush u eleminua.
Skuadra nga Bergamo shkon në Champions sezonin tjetër, bashkë me Interin, ndërsa jashtë mbetet 7 herë kampioni I Europës, Milani.
Ishte hera e parë në histori që ndodhte, meritë e padiskutueshme e trajnerit Gasperini, e drejtuesve, por edhe e lojtarëve, mes të cilëve dhe e Etrit Berishës e Berat Gjimshitit.
Shqetësimi u bë i madh, kur Sasuolo që luante për jetë a vdekje, kaloi në epërsi në stadiumin e Bergamos, por fundi ishte i lumtur.
Zapata barazoi në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, shpejt e shpejt realizuan Gomez e Pashaliç.
Një sherr pranë fundit e prishi jo pak imazhin e ndeshjes, dhe dy lojtarë të Sasuolos, Berardi e Manjaneli, u përjashtuan me kartonë të kuq, por nuk ia uli vlerat triumfit.
“Një sukses i pabesueshëm, diçka historike, – u shpreh trajneri Gasperini, – meritë e plotë e lojtarëve të mi që I falenderoj thellësisht. Ishim me besim se do t’ia dilnim, por nuk ishte e lehtë duke pasur parasysh se çfarë rivalësh kishim përballë. Nuk dua të mendoj për të ardhmen time, por të festojmë dhe të nisim përgatitjet për Championsin”.
Interi gjithashtu ia doli, por u trondit jashtë mase.
Detyra u duk tërësisht e përballueshme në “San Siro” ndaj Empolit, por pjesa e parë u mbyll pa gola.
Balde Keita shënoi në 51’ për zikaltërit, veçse Mauro Ikardi humbi penalltinë në 61’ dhe Hamed Traore barazoi për miqtë.
U desh goli i Naingolanit, nëntë minuta para fundit për të qetësuar tifozët dhe skuadrën.
“Interi është skuadër e madhe dhe meriton më shumë, por arritja në Champions për të dytin vit radhazi ishte diçka e jashtëzakonshme, – tha trajneri Spaleti, që ndodhet ndoshta në prag të largimit, – nuk ishte e lehtë, por ia dolëm. Përsa i përket të ardhmes, do të çuditesha nëse do të vazhdoja këtu”.
Milani, ndërkaq, mbeti jashtë dhe pse fitoi në Ferarrë.
Çalhanoglu dhe Kesi i dhanë epërsinë 2-0, por Vikari dhe Fares barazuan për Spalin.
U desh penalltia e Frank Kesit që të siguronte pikët për skuadrën e Xhenaro Gatuzos, që do të luajë në Ligën e Europës, diçka që cilësohet dështim për historinë e klubit, por krejt normale për gjendjen aktuale.
Milani mungon në Champions që nga 2014-ta.
Emocion I madh në Serinë A, edhe largimi i Daniele De Rosit nga Roma.
Kapiteni I tha lamtumirën tifozëve, në një ceremoni prekëse në stadiumin “Olimpik” pas fitores 2-1 ndaj Parmës, e dyta legjendë romane që largohet së fundmi, pas Françesko Totit. /ABC News Albania 24/7