Atalanta e Berishës dhe Gjimshitit mund Frozinonen

schedule19:45 - 20 Janar, 2019

schedule 19:45 - 20 Janar, 2019

Sulmuesi Zapata ishte njeriu më i spikatur i ndeshjeve të Serisë A, duke shënuar 4 gola në fitoren e Atalantës. Ky futbollist është objektiv i Interit të Milanos, që shpreson të kthehet tek lavdia e dikurshme

Ishte fitore edhe e shqiptarëve, por sidomos e një kolumbiani.

Atalanta triumfoi 5-0 në fushën e Frozinones, me Etrit Berishën në portë dhe Berat Gjimshitin titullar në mbrojtje, por sidomos me Duvan Zapatën në sulm, autor të katër golave.

Kolumbiani shkëlqeu fort dhe u ngjit në krye të renditjes së shënuesve të Serisë A, me 14 rrjeta, baraz me Kristiano Ronaldon, dhe një gol mbi Kristof Piontekun.

Zapata, madje, ka vetëm 1 penallti ndër 14 realizimet e veta, ndaj 4 penalltive të CR7-tës dhe dy të polakut.

Me këtë fitore, Atalanta arrin në kuotën e 31 pikëve, baraz me Milanin, dhe në konkurrim real për një vend në Ligën e Europës apo për në Champions sezonin e ardhshëm.

Gjithsesi, nëse do t’ia dalë, ndoshta do të duhet të kërkojë sulmues tjetër, pasi Zapatën e dëshiron Interi.

Pikërisht kolumbiani mund të quhet njeriu i duhur për të ndihmuar milanezët që të kthehen në lavdinë e dikurshme në Itali dhe në Europë.

Padyshim që do të ishte një ndihmë e madhe për golin, sidomos duke parë një skuadër që nuk arriti të thyente dot Sasuolon modeste, as në stadiumin “San Siro” të Milanos.

Dueli I së shtunës përfundoi 0-0, dhe zikaltërit nuk ishin në gjendje as të kënaqnin më shumë se 10 000 fëmijët e zgjedhur për të qenë në tribunat pa tifozë të tjerë.

Trajneri Luçiano Spaleti do të dojë patjetër të forcojë skuadrën, që për momentin mund të pretendojë vetëm kualifikimin për në Champions, por jo titullin dhe as suksese në Ligën e Kampionëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!