Atalanta debuton në Champions me Dinamon e Zagrebit

schedule18:11 - 18 Shtator, 2019

schedule18:11 - 18 Shtator, 2019

Një skuadër e re debuton në Champions. Kjo është Atalanta nga Seria A, që do të luajë ndeshjen e saj historike në Kroaci ndaj Dinamos së Zagrebit.

Dita historike ishte 26 maji 2019. Me fitoren 3-1 ndaj Sasuolos në Serinë A, një skuadër e re iu bashkua Championsit, Atalanta e Bergamos.

Ekipi ku luan mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i drejtuar nga trajneri Gasperini, u kualifikua për herë të parë në jetën e saj për në garën më të madhe të klubeve në Europë.

Natyrshëm, pati ekstazë nga tifozët, por edhe nga lojtarët pas triumfit të madh, diçka që habiti kontinentin, por jo edhe aq shumë Italinë, që e njihte mirë se çfarë projekti kishte klubi i mbiquajtur “DEA”.

Jo më kot, zikaltërit shënuan 77 gola në kampionat, më shumë se çdo ekip tjetër, duke dalë në vend të tretë. Sonte, Atalanta do të luajë ndeshjen e parë në Champions, atë në Zagreb ndaj Dinamos, një klub me më shumë histori, ndonëse jo ashtu si dikur.

E përditshmja torineze “Tutosport” komenton Atalantën:  “Juventusi për lavdinë, ndërsa DEA për historinë! Atalanta debuton në Zagreb mes entuziazmit”!

“Atalanta në botën e çudirave, – shkruan tabloidi britanik “Deili Meil”, – si mundet që një klub me buxhet sa Bërnli të bëhet pjesë e elitës së Europës, pas tri rënieve nga kategoria në shekullin e 21-të? Dhe me një stadium kaq të keq, saqë duhet të luajnë në “San Siro” ndeshjet e Championsit?”

Gjithsesi, buxheti bergamask nuk është aq i vogël, pasi mediat italiane e japin në 130 milionë euro këtë sezon, më shumë edhe sesa Lacio. Plot 3 000 tifozë e kanë ndjekur pas skuadrën në Kroaci.

Ata u nisën me autobusë, por edhe me mjete private apo fluturime ajrore, për të qenë në stadiumin “Maksimir” për mbrëmjen historike. Përballë italianëve të vegjël do të jetë një ekip që gjithashtu ëndërron shumë, që ka një kapiten me origjinë shqiptare si Arijan Ademi, dhe që ka një buxhet prej rreth 60 apo 70 milionë eurosh./ABC News Albania 24/7