Kryetari i Partisë Bindja Demokratike ëstë shprehur se pritet që koronavirusi të jetë një situatë që do të riformatojë botën.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Patozi risjell në vëmendje situatën që kaloi vendi jonë nga tërmeti i 26 nëntorit ku thekson se kur na ra tërmeti, u kujtuam për sizmiologët, inxhinierët, arkitektët, gjeologët, madje edhe për muratorët e ndërtimit. Në këtë situatë kaosi dhe paniku ai veçon faktin se si një grua e moshuar si Luljeta Bozo që ishte harruar gati prej të gjithëve, u bë brenda një dite idhulli i miliona shqiptarëve, vetëm se ishte e qartë dhe e përgjegjshme për atë që thonte.
Ndërsa tashmë akoma pa u qetsuar nga një situatë e tillë shqiptarët duhet të përballen me koronavirusin dhe të gjitha shqisat u drejtuan tek mjekët, infermierët dhe shkencëtarët, që po punojnë nën presionin e kohës për të shpikur kurën dhe vaksinën.
KORONAVIRUSI MUND TA RIFORMATOJË BOTËN
Kur na ra tërmeti, u kujtuam për sizmiologët, inxhinierët, arkitektët, gjeologët, madje edhe për muratorët e ndërtimit. Një grua e moshuar që kishte dalë prej kohësh në pension dhe ishte harruar gati prej të gjithëve, u bë brenda një dite idhulli i miliona shqiptarëve, vetëm se ishte e qartë dhe e përgjegjshme për atë që thonte. Por mbi të gjitha, sepse po fliste në kohën e duhur.
Pastaj erdhi koronavirusi dhe të gjitha shqisat u drejtuan tek mjekët, infermierët dhe shkencëtarët, që po punojnë nën presionin e kohës për të shpikur kurën dhe vaksinën.
Sot, pa asnjë dallim race, kombësie, gjinie, apo statusi shoqëror, kudo në të gjithë globin, jemi gati të përulemi me respekt dhe mirënjohje të pakushtëzuar ndaj atyre që na kanë në dorë jetën apo mbijetesën tonë. Por jam i sigurt se në Shqipëri, ndërkohë që kemi ndërmend vetëm fytyra dhe emra epidemiologësh apo mjekësh infeksionistë, me siguri që e kemi harruar gruan e moshuar (Luljeta Bozo), që u kthye papritur në emblemë të betejës për të kapërcyer dhe zbutur pasojat e rënda të tërmetit.
Dhe pyetja është nëse duhet patjetër të presim ndonjë fatkeqësi tjetër që të biem ndërmend për profesionistë të tjerë të vlefshëm, pa të cilët ekuilibrat e jetës sonë të përditshme nuk do të ekzistonin? Gjithmonë, pasi ta kemi kapërcyer dhe përcjellë rrezikun e lartë të koronavirusit, edhe pse ende nuk ka një datë të saktë apo të përafërt, kur më e keqja do të kalojë.
Një fizioterapiste e re në Milano (Valery Cambiaghi) u vu sot në qendër të vëmendjes botërore për një status ndoshta të pafajshëm në rrjetet sociale, ku evidentohej kontasti i frikshëm mes pagesës së një mjeku dhe një futbollisti në Itali, Angli, Francë, Spanjë, Gjermani, Shtetet e Bashkuara, e kudo tjetër, sepse Shqipërinë nuk e llogarit kush.
Sot u pezulluan përkohësisht kampionatet më të famshme të globit dhe me shumë gjasa mund të ketë edhe vendime të tjera drastike për botën e futbollit. Të cilat, për momentin nuk bëjnë asnjë përshtypje, por vetëm disa javë më parë do të perjetoheshin si fundi i botës për miliarda njerëz të mësuar prej dekadash me dozën e injeksionit për çdo eveniment futbolli.
Duhet ta dish që për herë të fundit mbreti botëror i sporteve është ndërprerë gjatë Luftës së Dytë Botërore për të kuptuar rëndësinë dhe rrezikun real të pandemisë së koronavirusit.
Por është jashtë çdo diskutimi se kjo është një betejë që do të fitohet nga njerëzimi, pavarësisht kostove, që, me sa duket, do të jenë të larta. Herët a vonë korona virusi do të mundet, por jam i sigurt se atëherë gjërat në botë nuk do të jenë si më parë.
Ndaj edhe uroj shumë që kjo fatkeqësi të shërbejë si një reflektim i thellë për të ndryshuar disa zakone dhe keqkuptime të mëdha, që kanë ardhur duke u ekzagjeruar edhe për shkak të mungesës së gjatë të krizave.
Të më ndjejnë fansat e panumurt të Ronaldos, që përmend fizioterapistja nga Milano, por ai sot për botën e futur në panik është thjesht një ndër miliona të vetëkarantinuarit nga korona virusi. Nësoj si Jurgen Klopp ishte thjesht një burrë me kapele dhe me mjekërr. Dhe vlera e tij do të bjerë edhe më shumë, nëse, larg qoftë, aktivitetet e futbollit do të pezullohen për një kohë të gjatë. Sepse atëherë ai do të kthehej në dyfish njeri të zakonshëm.
Ndërkohë, që ne kemi me qindra e mijëra “luftëtarë” mjekë e infermierë në të gjithë globin, të cilët janë në frontin e parë të betejës për ta mposhtuar epideminë dhe ka shumë mundësi se nuk do ta mbajmë mend gjatë njeriun, që do të shpikë vaksinën apo kurën për ta mundur korona virusin.
Natyrisht, që Cristiano Ronaldo nuk ka ndonjë faj në këtë histori, sepse nuk e ka krijuar ai këtë realitet, megjithëse ka shërbyer për shumë kohë si një lloj simboli për këtë fenomen. Si ai janë me mijëra të tjerë sekserë, blogerë, reperë, topmodelë të të dyja gjinive, që janë shndërruar në referenca universale, në kushtet e qetësisë dhe të vanitetit, që prodhon limontia e një shoqërie të pakërcënuar për një kohë të gjatë nga rreziqe të mëdha. Dhe me sa duket duhet të ndodhin tronditje apo përmbysje të forta, që njerëzimi t’i kthehet bursës reale të kapitaleve të veta për të rivlerësuar gjithçka nga e para.
Si një individ që besoj tek fuqia e tregut, nuk i hyj fare debatit se cilat duhet të jenë kriteret për të përcaktuar çmimin ose vlerën e një personi apo një grupi të caktuar shoqëror, sepse nuk mund të ketë receta për këtë çështje. Por është shumë e lehtë të konstatosh se ka një shpërpjestim të frikshëm mes shpërblimit dhe famës, në raport me shërbimin që jepet, e cila bie kaq shumë në sy në çaste të tilla dramatike për botën, siç është pandemia e korona virusit.
Ndërkohë mendoj se fatkeqësitë janë provat që na jep Zoti apo natyra, për ata që nuk besojnë, se duhet të ketë një hierarki të drejtë vlerash, në raport me kontributet që individët japin për shoqërinë, pa e mohuar kurrë se çdo hallkë e zinxhirit social ka rëndësinë e vet. Duke mos harruar asnjëherë se mund të vijnë herë pas herë katastrofa dhe fatkeqësi të tilla, për të cilat duhet të mendojmë edhe kur ato duken larg, ndërkohë që ne zbavitemi dhe argëtohemi në stadiume apo pallate koncertesh me idhujt e rremë të paqes, të cilët i kemi sajuar vetë.
Si kudo tjetër në botë edhe ne kemi spekullantët tanë, që shfaqen në trajta të ndryshme, si filozofë, politikanë, gjithollogë, analistë, ekologjistë, blogerë, moderatorë etj.
Por ndryshe nga homologët e tyre në botën e zhvilluar, që vetëkarantinohen apo zgjedhin të heshtin, ngaqë sot është koha më e papërshtatshme për të folur, këta të këtueshmit i ke të pranishëm në çdo ekran dhe tribunë mediatike, sepse janë edhe më arrogantë, edhe më të pagdhendur. Ndaj edhe nuk duhen marrë seriozisht./abcnews.al