Aston Vila ngjitet në Premier Lige pas tre vjetësh

schedule12:00 - 28 Maj, 2019

schedule 12:00 - 28 Maj, 2019

Aston Vila kthehet në Premier Ligë pas tre vjetësh mungesë. Skuadra e shquar fitoi finalen e plej ofit ndaj Derbi Kauntit, ndeshje që vlente 200 milionë euro.

Ishte ndeshja më e shtrenjë e kategorive të dyta për të gjitha kohët. Aston Vila e Derbi Kaunti u ndeshën në finalen e plej ofit të kampionatit të quajtur Çempionship (Championship), pra për të fituar të drejtën e ngjitjes në Premier Ligë.

Vlera e ndeshjes ishte 200 milionë euro, pra kaq do të fitonte skuadra që do t’ia dilte mbanë, dhe këtë gjë e bëri Aston Vila.

Stadiumi “Uembli” ishte dëshmi e qartë se çfarë feste është futbolli në Angli, pavarësisht nivelit të kampionatit ku luhen ndeshjet, dhe në tribuna ishin mbi 85 000 tifozë të të dyja skuadrave, shifër që nuk e gjen thuajse në asnjë stadium europian të elitës, me përjashtim ndoshta të atij të Barcelonës.

Lojtarët e Aston Vilës, të mbiquajtur “vilans” triumfuan 2-1 me golat e shënuar nga Anuar El Gazi në 44’ e Xhon Mekgin në 59’, kurse Derbi Kaunti shkurtoi diferencën me Martin Uaghornin 9 minuta para fundit.

Ishte edhe një duel, ndonëse jo plotësisht i tillë, mes dy ish-shokëve tek Çelsi, Frenk Lampardit si trajneri i Derbit dhe Xhon Territ si zv. trajner i Aston Vilës, ndihmës i trajnerit Din Smith.

Ky i fundit ishte padyshim në qiellin e shtatë pas triumfit.

“Është gjëja e duhur që Aston Vila është në Premier Ligë, – tha Smithi, – historia dhe sukseset e këtij klubi janë të tilla. Unë jam tifoz I Aston Vilës, por nuk po flas si tifoz. Gjithsesi, nuk ishte e lehtë, kemi kaluar 3 vite të vështirë”.

Lampardi flitet edhe si pasardhës i Mauricio Sarrit në stolin e “bluve” të Londrës.

“Nuk kam biseduar me asnjë klub tjetër, – tha ish-mesfushori i Çelsit, – jam krenar që punoj këtu, pavarësisht nga aspekti financiar. Nuk dua që të ankohem pas një humbjeje të tillë, por dua që të fillojmë punën menjëherë për sezonin tjetër”.

Aston Vila, klub i themeluar në 1874, u kthye në Premier Ligë tre vjet pasi u rrëzua prej saj, ndërsa ka dalë edhe kampion i Europës në 1981. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!