“Asociacion plus”, Molliqaj kundër marrëveshjes: Krijohet një qeveri paralele në Kosovë

schedule18:39 - 21 Mars, 2023

schedule 18:39 - 21 Mars, 2023

Kryetari i PSD-së në Kosovë, Dardan Molliqaj, në një intervistë për “Special Report” kritikoi marrëveshjen e dakordësuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Për gazetarin Arlind Isa, i cili ndodhet në Kosovë, Molliqaj theksoi se marrëveshja do të duhej të ratifikohej së pari në Kuvend.

Sipas tij, Kurti po tallet me opozitën ndërsa e cilësoi marrëveshjen jo demokratike për faktin se nuk është konsultuar së pari me Kuvendin për ta miratuar ose jo.

“Është dialogu më jo demokratik, jo transparent dhe që nuk e ka llogaritur fare Kuvendin. Ka qenë një traditë që para fillimit të secilit raund është miratuar me një rezolutë ku Kuvendi ka shprehur vullnetin dhe ka mbështetur qeverinë për të negociuar. Ka pasur raportim pas secilit raund në Kuvend. Kryeministri i Kosovës nuk ka shkuar kurrë në asnjë komision parlamentar dhe për herë të parë Kosova merr obligime që janë më shumë se marrëveshjet ndërkombëtare për shkak se me marrëveshjet e fundit të Kurtit janë obligime të Kosovës karshi BE dhe nuk ka votuar Kuvendi. Dakordimi gojor i kryeministrit ka vlejtur më shumë sesa votimi në Kuvend. Besoj se është në shenjë e qartë e mungesës së respektimit të rregullave demokratike të Kushtetutës të Kosovës.”, tha ai.

Ai thotë se me miratimin e kësaj marrëveshje krijohet një ‘asociacion plus’ i komunave me shumicë serbe. Sipas tij, në këtë mënyrë krijohet një qeveri paralele në Kosovë.

Për leximin tonë kemi të bëjmë me asociacion plus, pranim të asociacionit ekzistues dhe shtime të reja që tanimë kryeministri i Kosovës i ka hapur derën me këto dy marrëveshje.  Ajo që duket e qartë është se asociacioni do të vlejë për komunave serbe, janë 10 gjithsej. 4 prej tyre janë në veri, 6 të tjerat në pjesë të tjera. Serbia do që të ketë një lidhje institucionale si ombrellë për këto komuna, që kanë kompetenca të përbashkëta, një kuvend dhe president. Dhe ajo që duhet shtesë është kompetenca shtesë për veriun e Kosovës ku ndodhen edhe katër komunat, pra asociacionin për të gjitha komunat në Kosovë ndërsa rritje të kompetencave për veriun.

Tani kompetencat e komunave po centralizohen në një organ të përbashkët që merr vendime për të gjitha. Po krijohet qeveria e serbëve të Kosovës paralelisht me atë të Kosovës dhe do të kemi entitet politik. Kemi komunat serbe, asociacionin, presidentin dhe kuvendin e tyre. Dhe sa herë që ka tension arbitër mund të jetë vetëm Gjykata Kushtetuese. Flitet qartë që integriteti nuk ekziston dhe problemi vjen me minus 3 gjëra të rëndësishme. Nuk kemi njohje nga Serbia, nga 5 vendet anëtare të BE dhe nuk ka rrugë drejt NATO-s.“, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!