Analisti Xhelal Neziri këtë të shtunë në një intervistë të dhënë për “Ballkan Update” ka dhënë detaje në lidhje me marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai është shprehur se çdo diskutim mes dy vendeve për të arritur një marrëveshje për korrigjim kufijsh është një temë që ngjall frikë në Maqedoninë e Veriut.
“Çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për korigjim kufijsh ngjall frikëra në Maqedoninë e Veriut. Zgjidhja që do të aplikohej në Veri të Kosovës nuk ka lidhje që të krahasohet me zgjidhjen në komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ndaj paralelizmi i komunave me shumicë serbe në Kosovë me atë që ka ndodhur në Bosnjë me republikën Serbcka dhe kjo ndërlidhshmëri dhe ndikim i ndërsjelltë në këto ish republika. është një zgjidhje që do të ndikonte edhe në Maqedoninë e Veriut. Ky ndikim i ndërsjelltë është ende aktual”, ka thënë analisti.
Ndër të tjera në fjalën e tij ai ka dhënë detaje në lidhje me idenë për asociacion e komunave me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Neziri ka theksuar se asociacioni është një temë që i përket Kosovës për komunat me shumicë serbe dhe nuk mund të krahasohet me ato që ndodhen në Maqedoninë e Veriut.
“Unë mendoj se ishte një propozim që erdhi nga një eksponent si partia Alternativa që në votimet e fundit mbeti jashtë qeverisë. Kishim një përfshirje të aleancës për shqiptarët në koalicionin qeverisës dhe sikur nuk pati vend për partinë Alternative. Nuk mendoj se asociacioni do të ishte zgjidhje e mirë për shqiptarët etnik që janë këtu. Si erdhi kjo ide është se kishte një tentim nga Prishtina zyrtare për mbartjen e kësaj ideje jashtë kufijve të saj dhe aplikimi i saj te ndërkombëtarët do të ishte i rrezikshëm në pranimin e një gjëje të tillë në Kosovë. Dëshironte që ta minimizonte asociacionin si entitet. Ishte një tentim për të kaluar përtej kufijve këtë si term”, është shprehur ai./abcnews.al