“Asnjë si Juve në Itali”, Conte: Respekt për kampionët, Eriksen i dobishëm për ekipin

schedule15:14 - 16 Janar, 2021

schedule 15:14 - 16 Janar, 2021

Trajneri i Interit, Antonio Conte, u shfaq pak minuta më parë përballë gazetarëve në konferencën e zakonshme për shtyp para duelit me Juventusin. Italiani foli gjatë për përballjen dhe hendekun që ka ekipi i tij ndaj bardhezinjve. Gjithashtu, ai foli dhe për garën e titullin kampion si dhe për disa lojtarë të tij.

NDESHJA ME JUVENTUSIN – “Pres një ndeshje midis dy ekipeve që kanë ambicie të luftojnë për të fituar dhe për të marrë tre pikët. Çdo ndeshje është e rëndësishme, pasi të gjitha vlejnë tre pikë. Ne e dimë nivelin tonë dhe nuk mund të krahasohemi me Juven, pasi dihet se çfarë kanë arritur ato në nëntë vitet e fundit në Itali.

 

TITULLI – “Nuk dua të tregoj nëse bardhezinjtë janë favoritë apo jo, por dua që të kemi respekt ndaj atyre që duan të vazhdojnë të dominojnë për të dhjetin vit radhazi. Në vitet e kaluara nuk ka patur histori, ndërsa vjet distanca u shkurtua. Shpresojmë që të bëjmë më mirë këtë vit dhe ata të mos i falin 20-25 pikë konkurentëve. Kjo nuk është një gjë e mirë”.

HENDEKU ME JUVENTUSIN – “Unë mendoj se asnjë ekip në Itali nuk e ka arritur nivelin e Juves. Ata tashmë kanë përvojë, pasi kanë kaluar nëntë vite të suksesshme. Edhe këtë vit ata morën lojtarë si Morata, Chiesa, McKennie dhe Kulusevski. Çdo vit ata përmirësohen dhe ende nuk ka asnjë ekip solid si ata në Serie A.

 

VIDAL – “Ai ka përvojë dhe eksperiencë në shpatullat e tij dhe kjo do ta lejojë atë që të përballet me këtë ndeshje në mënyrën e duhur. Ne po flasim për një lojtar, i cili ka fituar shumë dhe ka luajtur në klube të mëdha. Jam i sigurt se do të bëjë një ndeshje të mirë. Ky duel duhet të trajtohet me presionin e duhur, pa rënduar kokën dhe këmbët shumë”.

ERIKSEN – “Ne duhet të përpiqemi të shfrytëzojmë të gjithë potencialin e skuadrës sonë. Në pozicionin e Brozovic nuk kemi asnjë lojtar tjetër, kështu vendosëm që të luante Christian. Ai luajti si një mesfushor sulmues dhe mendoj se me karakteristika që ai ka është i dobishëm për ekipin”, përfundon Conte. /abcnews.al