Asnjë pengesë për portin e Durrësit/ Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e opozitës për projektin e marinës

schedule23:17 - 16 Qershor, 2023

schedule 23:17 - 16 Qershor, 2023

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e deputetëve të opozitës për Portin Turistik të Durrësit. Me vendimin e marrë këtë të premte, Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën e 37 deputetëve të opozitës, të cilët kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kështu, nuk do të ketë më asnjë pengesë për ndërtimin e projektit të marinës, investim i cili shkon në vlerën 2 mld dollarë e pritet të sjellë një impakt edhe në ekonominë dhe turizmin në vendin tonë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe futet në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.

Ndërkohë, pritet edhe publikimi i vendimit përfundimtar me argumentet që ka dhënë Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e padisë, vendim i marrë me shumicë votash. Grupi i deputetëve kërkoi në padinë mbi 40 faqe, që të pezullohej zbatimi i atij ligji sepse sipas tyre, është i papajtueshëm me parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë.

Marrëveshja u nënshkrua më 11 gusht mes palëve dhe qeveria e solli në Kuvend, ku u prit me kritika e dyshime nga opozita sapo u mësua se ajo po futej me procedurë të përshpejtuar.
Kryeministri Rama tha se bëhet fjalë për një personalitet të ekonomisë globale, që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe.

Ky projekt do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 mijë e 600 metra katrorë, ndërsa parashikohen 12 mijë apartamente dhe 2 hotele me 850 dhoma në total. Faza e parë nis këtë vit dhe zgjat për 5 vite me vlerë investimi 595 milionë euro dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028, investimi është rreth 1 miliard e gjysmë euro.

Marrëveshja ka një jetëgjatsi prej 35 vitesh ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgjat 20 vite./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!