Sezoni i ri në Premier League filloi ditën e djeshme me sfidën Crystal Palace-Arsenal, me të besuarit e Mikel Artetës që siguruan edhe 3 pikët e para.
Dita e sotme rezervoi po ashtu disa sfida, ku në sy bie ajo mes Everton dhe Chelsea, me blutë që kanë bërë disa afrime të rëndësishme në skuadër për të qenë konkurruar këtë sezon në Premier League.
Por ajo që tërheq vëmendjen te blutë e Londrës është që asnjë lojtarë këtë sezon nuk ka preferuar të mbajë numrin 9-të. Romelu Lukaku ishte i fundit që mbajti këtë numër.
Këtë e ka konfirmuar edhe Thomas Tuchel, që para ndeshjes me Evertonin deklaroi se futbollistët e tij janë supersticiozë dhe mendojnë që ai numër është “i mallkuar”, ndaj nuk guxojnë ta mbajnë.
“Futbollistët më thonë që 9-a është e mallkuar dhe nuk e marrin. Të gjithë futbollistët që janë këtu, më thonë shiko se 9-ën e ka pasur ky apo ai lojtar dhe nuk kanë shënuar. Thënë ndryshe, asnjë nuk dëshiron ta prekë atë numër dhe duke qenë supersticioz edhe unë, i mirëkuptoj lojtarët. Deri tani askush nuk po i del zot numrit 9”, deklaroi Tuchel. /f.a/abcnews.al