Nuk është pak t’ia thotë ai që cilësohet si “vëllai i madh”.
Hakan Çalhanoglu beson se Kristian Asllani është në rrugë të mbarë për t’u bërë një yll tek Interi, ndonëse ende nuk po luan aq shumë sa duhet.
Në një intervistë integrale dhe ekskluzive për të përditshmen italiane “Il Corriere dello Sport”, mesfushori turk, pasi shpreh dëshirën që të fitojë Championsin në Milano, i përgjigjet një pyetjeje edhe për Asllanin.
Tridhjetvjeçari, që përsërit se shqiptarin e konsideron vëlla të vogël, thotë se ai mund ta bëjë shumë mirë rolin e tij në ekip.
Turku pohon se po e ndihmon shumë 22-vjeçarin me origjinë nga Elbasani, dhe thotë se Kristiani ia dëgjon fjalën.
Këshilla e Çalhës për Asllanin është që të përmirësohet në disa aspekte të lojë, dhe besohet se kjo ka të bëjë me pjekurinë dhe personalitetin për të marrë më shumë përsipër, dhe për të përballuar siç duhet presionin e madh që ekziston në një klub si Interi.
Gjithsesi, për të mesfushori kuqezi e ka cilësinë e duhur për të pasur sukses në “San Siro”.
Çalhanoglu thotë se Asllani po përmirësohet ndjeshëm dhe parashikon se ai do të jetë mjaft i rëndësishëm për skuadrën zikaltër pas largimit të tij. /abcnews.al