“Askush mbi ligjin”, ambasadorja amerikane zbulon bisedën në SPAK: Çështje të mëdha

schedule17:05 - 28 Maj, 2021

schedule 17:05 - 28 Maj, 2021

Pasditen e sotme ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi një takim për më shumë se një orë me kreun e SPAK-ut, Arben Kraja dhe drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, selia diplomatike amerikane në Shqipëri deklaron se në qendër të bisedës ishin rezultatet e punës së këtij organi të ri të drejtësisë së re, nga ku pritshmëritë e shqiptarëve janë shumë të mëdha.

Kim është shprehur se SPAK e nisi vitin 2021 me rezultate të vërteta nga çështje të mëdha dhe se mbështetja amerikane do të vazhdojë të jetë maksimale.

Ambasadorja e mbyll postimin me fjalët se askush nuk është mbi ligjin dhe se SPAK me BKH-në janë të vendosur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

“Sot, Ambasadorja Kim u takua me Kreun e SPAK Kraja dhe Drejtorin e BKH Hajnaj për të diskutuar rezultatet e suksesshme të SPAK dhe sfidat me të cilat ata po përballen në vitin e tyre të parë. Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin e rëndësishëm që SPAK ka në zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi.

Zhvillimi i vërtetë po ndodh. SPAK e nisi vitin 2021 me rezultate të vërteta nga çështje të mëdha. Ndërsa mesi i vitit 2021 po afron, Kreu Kraja dhe Drejtori Hajnaj i rikonfirmuan Ambasadores Kim se puna po vijon intensivisht në SPAK.

Pavarësisht sfidave dhe sulmeve, SPAK është përqendruar për të treguar se askush nuk është mbi ligjin. Ata vazhdojnë të hetojnë krime të ndryshme, të organizuara e të mëdha, korrupsionin dhe krimet zgjedhore, dhe janë të vendosur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin” mbyllet postimi.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja raportoi sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2020, ku tha ndër të tjerë se gjatë vitit që u mbyll kanë punuar në kushte të vështira.

/ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!