Asfaltohet rruga “Ura Domje-Lagjja Tagan”, Veliaj: Këtë vit asfaltojmë 100 rrugë rurale, për të krijuar mundësi për fshatin

schedule22:13 - 23 Janar, 2024

schedule 22:13 - 23 Janar, 2024

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet për asfaltimin e rrugës “Ura Domje – Lagjia Tagan”, segment rrugor nga rreth-rrotullimi i Mulletit deri te ura në fshatin Qeha. Ai tha se kjo është prova konkrete se puna vijon edhe në periferi, dhe se këtë vit janë planifikuar të asfaltohen 100 rrugë rurale.

“Shumë faleminderit skuadrës që punojnë pa pushim për ta realizuar këtë projekt. Nuk i vë faj njerëzve me të gjithë zhurmën që bëhet me politikën. ‘Jo, po është asfalt elektoral, jo, po do mbarojë puna pasi të mbarojnë zgjedhjet’. Ja ku është prova konkrete se kush do të punojë, punon gjithmonë. Kjo është një rrugë, që jo vetëm për mijëra banorë të zonës, por qindra ekonomi lokale zhvillohen nga kjo rrugë. Duke u rritur vlera e pronës shoh shumë familje të qytetit që janë transferuar në fshat. Për shembull, qendra e Qehasë hapi një mundësi edhe për ekonomitë e fshatit. Prona u rrit, u shitën një pafundësi tokash. Është një formulë “ëin-ëin”. Këtë vit kemi planifikuar rreth 100 rrugë rurale, rrugë, rrugica, shtigje, ura. Por, nuk i shoh si 100 projekte asfalti, i shoh si 100 mundësi, 100 lidhje, 100 miqësi, 100 tregti, 100 shoqëri, 100 potenciale për të bërë më mirë. Një rrugë është jo vetëm një zhvendosje logjistike nga A në B, por është edhe një vajtje në fshat, edhe një vajtje në spital, është edhe një vajtje në universitet, është edhe një vajtje në treg”, tha ai.

Kryebashkiaku i Tiranës falënderoi banorët e zonës për mirëkuptimin gjatë punimeve për rrugën e re. “Jam vërtet krenar për punën që kemi bërë. Jam vërtet i impresionuar që nuk u lëshua asnjë centimetër te cilësia e punimeve, pavarësisht se mbaroi fushata dhe mbaruan kamerat dhe debatet. Në fund fjalët i merr era, puna do mbetet, puna do flasë më shumë se çdo fjalim tjetër për atë që ka bërë kjo administratë e për mënyrën se si mund ta çojmë Tiranën përpara vetëm me punë e më mëngë të përveshura, duke inkurajuar njëri-tjetrin që të ecim, e jo duke vënë stërkëmbesha e duke gjetur qime tek syri tjetrit. Megjithatë, ca kishim për të thënë për kundërshtarët i thamë me një fitore të jashtëzakonshme. Duhet të vazhdojmë betejën e përditshme, duhet ta fitojmë përditë besimin e njerëzve”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi një kërkesë për banorët, që ta mirëmbajnë rrugën e re sepse prej saj vijnë gjithë të mirat./abcnews.al