“Asfaltohet një aks shumë i rëndësishëm i kryeqytetit”, Veliaj: Javën tjetër hedhim shortin për 159 apartamente të reja te Bregu i Lumit

schedule15:37 - 19 Shkurt, 2023

schedule 15:37 - 19 Shkurt, 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar  punimet në “Rrugën e Saraçëve”, një aks shumë i rëndësishëm, i cili lidh dy prej zonave më të populluara të kryeqytetit, “Rrugën e Dibrës” dhe Pazarin e Ri.

Rruga e “Saraçëve” është një rruge historike e Tiranës, por duhet të pranojmë se edhe ky realitet po ndryshon. Nga njëra anë, kemi pallatet, disa janë ndërtuar në kohën e komunizmit, disa të tjera në vitet 90-të, nga ana tjetër, disa shtëpi të vjetra. Praktikisht, këtu bashkohen dy pjesë të Tiranës, Tirana e vjetër me Tiranën e re. Janë dy realitete që kanë nevojë të kenë të njëjtën cilësi në infrastructure.

Pasi të mbarojmë me aksin kryesor, do të vazhdojmë me gjashtë rrugicat që lidhin mëhallat dhe xhepat e vegjël mes pallatëve ose shtëpive private. Pastaj, do të kalojmë te kryqëzimi i “Farmacisë 10”, për t’u zhvendosur te lagjja “Besa”, pjesa e Njësisë 8, aty ku kemi hapur edhe shkollat e reja “Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qirjazi”, por ku kemi edhe pallatet e rindërtimit,” tha Veliaj

Nga Njësia 8, kryebashkiaku dha lajmin e mirë se javën që vjen do të hidhet shorti për apartamentet e tjera në lagjen e re “5 Maji”, që janë gati për të mirëpritur 159 familje.

“Javën tjetër hedhim shortin për 159 apartamente të reja te Bregu i Lumit. Janë banorë, të cilët humbën shtëpitë e vjetra për shkak të tërmetit, ose pronarë me prona të palegalizuara, banorë të Bregut të Lumit, të cilët do të marrin shtëpitë e reja. Kush beson dhe bashkëpunon shpërblehet, kush rri mbrapa partive, humbet kohë të çmuar, kohë që ne mund ta zhfrytëzojmë për të mbaruar pallate dhe gjithë këtë infrastrukturë. Për 159 familjet e lagjes fillon një jetë e re, një kapitull i ri, një lagje e re dhe një komunitet i ri te super banesat e projektuara nga Stefano Boeri, me fond të qeverisë shqiptare, të zbatuar nga Bashkia e Tiranës,” shtoi kryebashkiaku.