Bashkimi Europian po eksploron prej kohësh mundësinë e një kredie dëmshpërblimi për Ukrainën duke përdorur asetet e ngrira ruse. Por udhëheqësit e bllokut janë të ndarë përpara një vote të rëndësishme që do i jepte dritën jeshile këtij plani.
Më i fundit ishte ministri i jashtëm italian Antonio Tajani, i cili tha se unioni duhet të shqyrtojë mënyra të tjera për të financuar Ukrainën.
Shefi i diplomacisë italiane tha se ky rast duhet të vlerësohet në bazë ligjore dhe nëse Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian vendos në favor të Rusisë, blloku jo vetëm duhet të kthejë paratë, por do të pësojë edhe një disfatë politike.
“Ndoshta do të ishte më mirë të mendohej për zgjidhje të tjera”, tha Tajani.
Por Italia nuk është i vetmi shtet që ka rezerva për këtë plan. Vende të tjera anëtare të bllokut, kanë kundërshtime edhe më të forta.
Një lëvizje e tillë nuk mund të ecë para pa Belgjikën, e cila mban një pjesë kryesore të aseteve ruse në institucionin financiar Euroclear.
Belgjika e konsideron propozimin thellësisht të gabuar dhe të mbushur me rreziqe. Sipas kryeministrit të vendit plani është shumë i brishtë, financiarisht i rrezikshëm dhe ligjërisht eksperimental.
Dhe Belgjika nuk është i vetmi vend kundër. Andrej Babiš, kryeministri i ri i Republikës Çeke, sugjeroi që Komisioni Europian duhet të gjejë mënyra të tjera për të ndihmuar Kievin.
Pa lidhje me Belgjikën është opozita e ashpër e Viktor Orbán të Hungarisë, i cili refuzon kategorikisht të miratojë ndonjë ndihmë të re për Ukrainën, pavarësisht metodës.
Aleati i tij i ngushtë, Robert Fico i Sllovakisë, është zotuar të kundërshtojë çdo ndihmë të re ushtarake për Kievin. Megjithatë, Fico është i gatshëm të mbështesë fonde të reja për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës pas luftës dhe për të çuar përpara përpjekjen e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Por çfarë mund të ndodhë? Teknikisht, kredia e dëmshpërblimeve mund të ecë përpara me një shumicë të kualifikuar: një minimum prej 16 shtetesh anëtare që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së përgjithshme të bllokut.
Kjo do të thotë që skeptikët si Belgjika, Italia, Bullgaria, Malta, Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia nuk janë të mjaftueshëm për të prishur planin.
Me Gjermaninë, Spanjën, Poloninë, vendet nordike dhe baltike të gjitha në favor, grupi kundërshtar do të kishte nevojë që Franca, e vetmja peshë e rëndë në dispozicion të bënte një kthesë dhe të pozicionohej kundër. Megjithatë, diplomatët dhe zyrtarët pranojnë miratimin e kredisë së dëmshpërblimeve, pa Belgjikën dhe më gjithë pasiguritë e tjera, do të ishte politikisht i paqëndrueshëm.

