Ka vendosur të veprojë ndryshe, por besohet e ka të qartë se çdo të bëjë. Jasir Asani ka zgjedhur një rrugë tjetër në krahasim me futbollistët e tjerë të huaj të ekipit të Esteglalit në Ligën Profesioniste të Iranit, pa ultimatume, por të përcaktuar nga klauzolat.
I cilësuar si lojtari më i mirë i skuadrës, dhe blerja më e mirë në kampionat sezonin e fundit, shqiptari ka informuar klubin se nuk ka ndërmend të bëjë ultimatume, dhe se do të vazhdojë në Teheran deri në fund të sezonit.
Informacioni është se të huajt e tjerë e kanë paralajmërur Esteglalin se do të ndjekin rrugë ligjore nëse nuk do t’u jepen paratë e prapambetura, e duket se klubi ka vështirësi financiare për shkak të situatës.
Po Asani?
Kontrata e tij ka klauzolë që e lejon të largohet në vitin e dytë të saj, ndërsa ai nuk po nxitohet për të kërkuar paratë e vonuara. Siç theksohet nga gazetat dhe portalet në kryeqytetin iranian, yli I kombëtares shqiptare cilësohet si një nga më të mirët që kanë ardhur në ligë, dhe se për të ka shumë interesim jo vetëm në Iran, por edhe nga klube të tjerë të Gjirit Persik.
Asani ka 13 gola e 4 asistë këtë sezon me Esteglalin, nga të cilët 7 rrjeta e 3 pasime goli I ka në kampionat, 4 herë ka realizuar në Championsin e dytë të Azisë, dhe dy herë në Kupën e Iranit.


