Asambleja e Republikës Sërpska kërkon dorëheqjen e serbëve nga Kushtetuesja e Bosnjës

schedule23:04 - 26 Prill, 2023

schedule 23:04 - 26 Prill, 2023

Asambleja e Republikës Sërpska (RS) miratoi të mërkurën, më 26 prill, konkluzionin, përmes të cilit u bën thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e popullit serb, të japin dorëheqjen.

Konkluzioni hyn në fuqi një ditë pas miratimit dhe zgjat, siç thuhet, derisa Asambleja e Republikës Sërpska të marrë një vendim tjetër.

Në favor të konkluzionit votuan 47 deputetë nga 68 sa ishin të pranishëm. Asambleja e Republikës Sërpska përbëhet nga gjithsej 83 deputetë.

Shkak për një vendim të tillë, siç deklaruan përfaqësuesit e partive në pushtet, janë veprimet “anti-Dejton” dhe “antikushtetuese” të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, duke iu referuar posaçërisht vendimeve të asaj gjykate për pronën shtetërore të Bosnje e Hercegovinës.

Asambleja i ngarkoi përfaqësuesit e Republikës Sërpska në institucionet e Bosnje e Hercegovinës që të përgatisin sa më shpejt Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilin do të përcaktohej përbërja pa gjyqtarë të huaj.

Kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviç, theksoi gjatë debatit se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës mund të marrë vendime pa gjyqtarët serbë, por do të humbasë “ligjshmërinë dhe legjitimitetin”.

“Do të humbin gjysmën e Bosnjës dhe Hercegovinës, do ta humbin pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në atë institucion. Ashtu siç i mbajtën zgjedhjet në Kosovë me dy ose tre për qind pjesëmarrje dhe dolën vetëm 13 serbë. Por, zyrtarët evropian çdo mbrëmje garojnë duke thënë se kjo është legjitime, e pranueshme për ta. Kështu do të përpiqen të njohin edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Vishkoviç,.

Lidhur me kërkesën që gjyqtarët nga Republika Sërpska në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës të japin dorëheqjen, u diskutua në kontekstin e konkluzioneve të Asamblesë së Republikës Sërpska nga 17 shkurti i vitit 2020, kur deputetët miratuan një dokument në lidhje me “aktivitetet anti-Dejton të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës”.

Aktualisht, në Gjykatën Kushtetues është vetëm një gjyqtar nga radhët e popullit serb, Zllatko Knezheviç, sepse mandati i Miodrag Simoviqit përfundoi nëntorin e kaluar kur ai mbushi 70 vjeç.

Asambleja e Republikës Sërpska nuk u mblodh për të zgjedhur një gjyqtar të ri.

“Nuk është e njëjta gjë nëse njeriu ynë është ulur atje apo njeriu ynë i bindet, respekton dhe zbaton përfundimin e Asamblesë së Republikës Sërpska”, theksoi Vishkoviç.

Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës përcakton që Asambleja e Republikës Sërpska i zgjedh dy gjyqtarë nga gjithsej nëntë në atë organ gjyqësor.

Seanca është mbajtur zyrtarisht me kërkesën e 29 deputetëve.

Folësi kryesor, Igor Zhuniq, sheg i Grupit Parlamentar të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, theksoi se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës është shndërruar nga një “mbrojtës i Kushtetutës në një kushtetutë-bërës”.

Zhuniq tha se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës është kthyer në një “faktor destabilizimi” dhe se ajo shërben si një “armë politike për shpronësimin” e Republikës Sërpska.

Zhuniq shtoi se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës, me vendimet e saj po përpiqet të konfiskojë pronën e Republikës Sërpska dhe se ky entitet nuk e ka dhënë pëlqimin për zgjerimin e Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës kur bëhet fjalë për pronën.

Si shembull, ai përmendi masën e përkohshme, me të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ndaloi zbatimin e Ligjit për pronën e paluajtshme, i cili përdoret për funksionimin e autoriteteve publike të Republikës Sërpska, gjë që, siç u theksua, është antikushtetuese.

U miratua edhe Informacioni për konkluzionet e vitit 2021

Deputetët miratuan edhe Informacionin për konkluzionet e miratuara më 10 dhjetor të vitit 2021, në Asamblesë së Republikës Sërpska, kur deputetët ngarkuan qeverinë e entitetit që dërgojë në procedurë ligjet për tatimin mbi vlerën e shtuar, për akcizën, për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska, si dhe ligjet e fushës së mbrojtjes dhe sigurisë.

Në dokumentin e ri, të miratuar, nuk përcaktohet një afat kohor, por është vendosur formulimi “kur të plotësohen kushtet e duhura”.

Të gjitha këto ligje ekzistojnë në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës, sepse bëhet fjalë për kompetenca shtetërore. Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës nuk lejon kthimin e njëanshëm të juridiksionit nga shteti te entiteti.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj vendimit të mëparshëm të Asamblesë për tërheqjen e pëlqimit për të katër pikat e përmendura, kompetencat e transferuara, por rezervojmë të drejtën të marrim vendime të pavarura kur dhe nëse është e nevojshme, pa u kufizuar në afate kohore”, theksoi Igor Zhuniç.

Ramiz Sallkiq, anëtar i Klubit të deputetëve “Lëvizja për shtetin”, reagoi ndaj qëndrimeve të partisë në pushtet, duke thënë se Republika Sërpska po e shembë Bosnjë e Hercegovinën duke mos respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të saj.

Ai, gjithashtu, theksoi se qytetarët e Republikës Sërpska jetojnë nga “Bosnje e Hercegovina, përfitimet dhe paratë e saj nga Administrata e tatimeve indirekte”.

Sallkiq kritikoi gjithashtu shpenzimin, siç pretendon ai, të 750,000 markave (rreth 380,000 euro) për festimin e 9 janarit si Dita e Republikë Sërpska, e cila u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës.

Duke iu përgjigjur Sallkiçit, kryetari i Asamblesë së Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, pohoi se qytetarët e Republikës Sërpska dhe Federata boshnjake-kroate financojnë Bosnjën, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina nuk e financon Republikën Sërpska “me asnjë qindarkë”.

Partitë opozitare e kanë quajtur diskutimin si “farsë”, marrë parasysh se, siç kanë thënë, po diskutohen për konkluzione të miratuara më parë, të cilat nuk janë zbatuar kurrë.

“Për ne janë problem të gjitha deklaratat tuaja, përfundimet, deklaratat që janë shkronja të vdekura në letër. Ju i keni bërë të pakuptimta dhe i keni zhvlerësuar të gjitha konkluzionet e Asamblesë kohët e fundit”, tha Vukota Govedarica, deputet i Partisë Demokratike Serbe (SDS).

Govedarica tha se shpreson që në seancë do të shqyrtohet edhe “diçka tjetër”.

“Ju po ngrini një atmosferë me tone të larta, ndaj jam i shqetësuar për të gjitha këto, për këto dy informacione që keni dërguar”, tha Govedarica.

Çfarë i parapriu seancës së posaçme?

Seanca e Asamblesë u mbajt dy ditë pasi liderët e partive parlamentare në Republikën Sërpska, pa përfaqësues të opozitës, nënshkruan planin për veprimin e përfaqësuesve të këtij entiteti në institucionet e Bosnjë e Hercegovinës, i cili përmban 21 pika.

Dokumenti u nënshkrua nga tetë liderë të partive të koalicionit qeverisës në Republikën Sërpska, me iniciativën e Millorad Dodikut, president i këtij entiteti dhe shef i partisë më të madhe, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur.

Plani, ndër të tjera, thekson të drejtën për vetëvendosje, “kthimin e kompetencave të marra” nga Republika Sërpska dhe mundësinë që ky entitet t’i ofrojë Federatës boshnjake-kroate “nënshkrimin e një marrëveshjeje mbi shkëputjen paqësore” nëse, siç theksohet, “vazhdojnë veprimet anti-Dejton të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe përfaqësuesve politikë nga Federata ndaj Republikës Sërpska”.

Në konferencën për shtyp, pas nënshkrimit të planit, Dodik theksoi se qëllimi i planit është mbrojtja e pronës së Republikës Sërpska, e cila, siç thotë ai, reflekton respektimin e Marrëveshjes së paqes të Dejtonit dhe të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës.

Disponimi i pronës shtetërore në Bosnjë e Hercegovinë u ndalua në vitin 2005, derisa të sillej një ligj në nivel shtetëror, sipas vendimit të përfaqësuesit të lartë të atëhershëm në Bosnjë e Hercegovinë, Paddy Ashdown.

Kjo u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës në disa aktgjykime, duke shfuqizuar ligjet me të cilat Republika Sërpska u përpoq të përvetësonte pronat e paluajtshme./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!