Asambleja e PS, Veliaj: Kemi përmirësuar shërbimet dhe rritur investimet

schedule13:53 - 7 Shtator, 2018

schedule 13:53 - 7 Shtator, 2018

“Vëmendja jonë është tek njerëzit, që nga dita e parë e jetës deri në ditën e fundit, me gjitha shërbimet që ofrojnë bashkitë tona”. Kështu, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku prezantoi disa nga arritjet dhe projektet e pushtetit vendor.

Teksa vlerësoi projektin e rilindjes urbane, Veliaj nënvizoi se parimi i PS për vëmendjen tek njerëzit, ishte një zgjedhje e shkëlqyer. “Nuk besoj se ka pasur një projekt tjetër më të rëndësishëm që i ka shenjuar qytetet se projekti i Rilindjes Urbane. Nëse ka diçka që do të ngelet pas 100 viteve, besoj se do të jenë dy gjëra: Partia Socialiste dhe qendrat e qyteteve. Sheshi “Skënderbej” do të jetë aty tërë jetën, Lungomarja e Vlorës po ashtu, Pazari i Korçës do të jetë aty tërë jetën. E falenderoj kryeministrin dhe qeverinë që vendosën të vendosnin qytetet si prioritet dhe tek vëmendja për njerëzit, fillimisht nga qytetet. Sot kur shikojmë sesi kjo po ndodh në Francë dhe se si Presidenti Macron po bën diçka të ngjashme, ne si ballkanas tipikë, ose atipikë, nuk jemi ksenofob, jemi ksenofil, i duam kur i bëjnë të huajt gjërat; por, vizion të tillë dhe punë të tilla kemi bërë edhe këtu në vendin tonë”, tha ai, teksa shtoi se falë këtyre investimeve nëpër qytete, jo vetëm është përmirësuar cilësia e jetës, por kanë gjeneruar edhe ekonominë e qyteteve.

“Fakti që bumi turistik u fokusua në qendrat e qyteteve tregoi se parimi i PS për vëmendjen tek njerëzit, aty ku ata gravitojnë, ku është jeta e tyre publike, që janë qytetet tona, ishte një zgjedhje e shkëlqyer”, nënvizoi Kreu i Bashkisë.

Veliaj theksoi se sfidë është programi i dytë i qeverisë, projekti “100 fshatrat”, për t’u siguruar që vëmendja për njerëzit të përfshijë edhe ata që jetojnë në fshat.

“Një punë e madhe është bërë nga bashkitë, për t’i lidhur qendrat e fshatrave me qytetin, por jo dhe aq për të krijuar një hapësirë publike brenda fshatrave ku me agroturizmin dhe iniciativat e tjera e kemi potencialin ta bëjmë me projektin e “100 fshatrave”. A mos ka ardhur momenti që të vendosim disa kritere, ku në vend të mbushim dhe t’i kthejmë në parkingje njerëzish zyrat tona të bashkisë, ndoshta një pjesë të madhe të financimeve mund t’i çojmë në investime dhe më pak njerëz? Më shumë dixhitalizim, më shumë kompjuterizim, mund të na ofrojë shërbime që pastaj na lirojnë fonde për të bërë investime publike. Ajo që unë kam vënë re si kryetar bashkie dhe si kryetar i Shoqatës, është që njerëzit nuk kanë problem të paguajnë taksat, nëse ato i paguajnë të gjithë, dhe nëse dikush nuk përjashtohet. Dhe e dyta, nuk kanë problem të paguajnë taksat tona modeste nëse marrin shërbime mbrapsht”, tha Veliaj, ndërsa kërkoi që të gjitha bashkitë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Bujqësisë të rrisin sipërfaqet e mbjella duke futur edhe një mentalitet të ri.

Prioritet për bashkitë do të jetë edhe çështja e furnizimit me ujë të pijshëm, në mënyrë që të gjithë qytetet të përmirësojnë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Një nga shembujt më inkurajues dhe besoj se do të sfida edhe e këtyre zgjedhjeve, por edhe e mandatit tjetër, do të jetë çështja e furnizimit me ujë. Në bashkitë që drejtohen nga PS, kemi rritje me 22 për qind të furnizimit me ujë të pijshëm. Disa janë kampionë, Librazhdi, Pogradeci, Korça, Puka, me 24 orë furnizim, të tjerët kanë bërë progres, por unë besoj se me një bashkëpunim me qeverinë dhe me investime inteligjente të gjithë mund të jemi në rangun e këtyre kampionëve kur vjen puna në furnizimin me ujë të pijshëm”, deklaroi Veliaj./abcnews.al