Asambleja e PR, propozimet e Mediut për reformën zgjedhore dhe integrimin

schedule12:01 - 2 Nëntor, 2019

schedule 12:01 - 2 Nëntor, 2019

“E djathta shqiptare si e djathtë kombëtare, duhet të rikthejë orientimin dhe besimin Europian në vend. Për një vend si Shqipëria, konsensusi real politik dhe shoqëror për reforma dhe shtet ligjor, që i shërbejnë integrimit, është elementi i parë i suksesit”. Kështu ka deklaruar kreu i partisë Republikane fatmir mediu në fjalën e tij në Asamblenë Republikane.

Në  funksion të kësaj kreu republikan propozoi ndërtimin e një Komiteti Kombëtar për integrimin Europian, përfundimin me konsensus sa më parë të Reformës Zgjedhore, marrëveshje për ndryshim të Kushtetutës, Kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve, Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejtpërdrejtë nga populli dhe rishikim të reformës administrative.

“Ndërtimin e një Komiteti Kombëtar për integrimin Europian. Ky komitet të bashkëkryesohet nga dy ish Ministra të Jashtëm, konkretisht z.Besnik Mustafaj dhe Zonja Arta Dade. Në përbërje të tij të jenë ish kryeministra, ish ministra të Jashtëm dhe të Integrimit, ish kryetarët e Komisioneve të Integrimit Europian të Parlamentit.

Mandatimi me ligj i këtij Komiteti,për të kontrolluar dhe zbatuar detyrimet e çdo institucioni, që rrjedhin nga detyrimet Europiane dhe në veçanti, zbatimin e 9 kushteve të vendosur nga Bundenstagu Gjerman, me një plan konkret veprimi.

Përfundimi me konsensus sa më parë i Reformës Zgjedhore, duke draftuar Kodin në bashkëpunim pozitë-opozitë, dhe me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë.

Është provuar se miratimi me konsensus i Reformës Zgjedhore, ka rezultuar me votime më të mira, të pakontestuara.

Marrëveshje për ndryshim të Kushtetutës dhe vendosje të një dispozite tranzitore deri në anëtarësimin në BE, për krijimin e një qeverie tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve, sipas modelit Maqedonas, jo si ndëshkim politik, por si një marrëveshje pozitive, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe për të kthyer qytetarët në kutitë e votimit, për të ushtruar të lirë të drejtën e tyre të votës.

Ndërtimin e një grupi pune me ekspertët më të mirë, për të kthyer vendin në binarët kushtetues, të shtetit të së drejtës,bazuar në parimin Check and Balance të një Republike Parlamentare”.

Kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazare politike. Zgjerimi i kompetencave të tij në fushën e Sigurisë dhe Drejtësisë.

Krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve. Senati të ushtrojë një pjesë të detyrave dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë tjetër të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese t`i kalojnë Gjykatës së Lartë.

Rishikimi i Reformës Administrative, për ta çuar pushtetin lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, me qëllim kontrollin politik të territorit.

Nëse do të shohim përbërjen e këshillave bashkiakë, mbi 95% e tyre janë nga qendrat urbane, duke lënë të papërfaqësur pjesën më të madhe të popullsisë”.

Reforma Zgjedhore sipas Mediut, është një domosdoshmëri dhe përparësi, sidomos për opozitën, që lufton për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sa më parë.

“Ne jemi republikë parlamentare dhe çdo gjë fillon nga qytetarët, përfaqësimin e tyre, me qytetarët për qeverisjen në emër të tyre dhe për qytetarët në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre.

Kthimi i Parlamentit në përfaqësues të qytetareve dhe jo kryetarëve të partive, dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,është hapi i parë i rëndësishëm, në kthimin e demokracisënë Shqipëri”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!