Asambleja e Përgjithshme e OKB, temat e nxehta

schedule12:40 - 25 Shtator, 2018

schedule 12:40 - 25 Shtator, 2018

Nis në Nju Jork Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku pritet të diskutohen tema të nxehta por dhe të ketë takime të rëndësishme. Vëmendja është dhe tek mungesat e mëdha.

Asambleja e 73 e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mblodh në Nju Jork më shumë se 120 krerë shtetesh dhe qeverish si dhe qindra ministra që takohen me njëri-tjetrin në pallatin e qelqtë të Kombeve të Bashkuara.

Tema e zgjedhur për asamblenë nga presidentja Maria Garses ish-ministrja e mbrojtjes së Ekuadorit është: “Bërja e Kombeve të Bashkuara të rëndësishëm për të gjithë, një lidership global dhe ndarja e përgjegjësive për të krijuar një shoqëri paqësore, të barabartë dhe të qëndrueshme”.

Mes temave të nxehta të asamblesë është ajo e Koresë së Veriut, luftërat në Siri dhe Jemen, tensionet në Lindjen e Mesme, kriza në Venezuelë dhe ajo në Libi. Por dhe barazia gjinore, pjesëmarrja e gruas në poste të pushtetshme, çështja e refugjatëve dhe temat ambientale Mes temave të tjera është dhe diskutimi për reformën e Këshillit të Sigurisë.

Në pallatin e qelqtë ndodhen 84 krerë shtetesh dhe 44 krerë qeverish. I pari që merr fjalën sipas protokollit është Brazili. Tradita ka nisur në vitet e para të krijimit të organizatës, kur Brazili dilte gjithnjë vullnetar sepse asnjë shtet nuk dëshironte të fliste i pari. Menjëherë pas tij është vendi mikpritës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përfaqësohen nga presidenti Donald Trump.

Presidentja e turnit e Këshillit të Sigurisë për muajin shtator është ambasadorja amerikane në OKB, Niki Halej, e cila edhe ka vendosur axhendën e konsultimeve. Mes takimeve të shumëpritura është ai mes presidentit Tramp dhe atij Iranian Hassan Rohani dhe pse ende jo i konfirmuar zyrtarisht, për temën e çarmatimit bërthamor, pas daljes në muajin maj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja për programin bërthamor me Teheranin.

Kjo është asambleja e parë e OKB-së pas daljes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga UNESCO, nga marrëveshje e Parisit për klimën, nga marrëveshja bërthamore me Iranin si dhe nga mrrëveshja me OKB-në për emigrantët. Mes tyre që nuk marrin pjesë në asamble është dhe presidenti venezuelian Nikolas Maduro, i cili mungon për arsye sigurie. Ky i fundit do i kishte folur vendeve anëtare të OKB-së rreth betejës me fushatën e urrejtjes ndaj qeverisë së tij, e cila drejtohet sipas Maduros nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

As Aung San Su Ki, këshilltare shteti e Birmanisë, nuk do të jetë e pranishme. Ajo është kritikuar shumë për mënyrën se si ka drejtuar krizën e Rohingiave në vend. Kjo temë do të trajtohet nga Amal Kluni, bashkëshortja e Xhorxh Kluni, avokate për të drejtat e njeriut. Ajo do të flasë për dy gazetarët e agjencisë Reuters që janë burgosur sepse denoncuan dhunën e ushtrisë. Nuk do të jetë as presidenti rus Putin i cili do të zëvendësohet nga ministri jashtëm Sergei Lavrov./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!