Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Artizania që nuk ndalet nga mosha/ 85-vjeçarja, që kur ishte 10 vjeç kishte mësuar të punojë me bizat

schedule21:21 - 24 Janar, 2026

schedule 21:21 - 24 Janar, 2026

Në moshën 85-vjeçare, Mumushe Ibrahimi mban ende në duar historinë e një jete të tërë pune. E lindur dhe e rritur në Janjar, ajo e mësoi që fëmijë se jeta nuk të fal asgjë, por të mëson gjithçka nëse nuk dorëzohesh. Pas martesës u vendos në Sarandë, aty ku puna e dorës u bë shpirti i saj dhe rruga e vetme për të ecur përpara.

Që vajzë e vogël, vetëm 10 vjeçe, mori për herë të parë bizat në duar. Në një familje me shtatë fëmijë, ajo ishte më e madhja. Ditën mblidhte pambukun e fushës, ndërsa në mbrëmje e tirrte në furkë dhe bënte çorape e bluza për motrat dhe vëllezërit.

U martua vetëm 17 vjeçe, ndërsa kur erdhi në Sarandë ishte 25.



Pikërisht aty nisi rrugëtimi i saj më i gjatë: puna në fabrikën e qilimave dhe më pas në fabrikën e jorganëve. Për 52 vite me radhë, deri në prishjen e sistemit, duart e Mumushes nuk u ndalën kurrë.

Në Sarandë dhe Delvinë punonin rreth dy mijë gra dhe ajo ishte ndër të dalluarat. Modelet nuk i merrte nga askush; i krijonte vetë. Ajo nuk pati ëndrra për vete. Iu kushtua fëmijëve dhe punës së dorës. Por në atë kohë, puna ishte ëndërr.

Punimet e tyre shkonin jashtë shtetit, nga Durrësi drejt botës. Burri i saj, pjesë e degës së furnizimit, sillte lajmet nga magazinat dhe përgjegjësitë e ditës. Dhe shpesh, emri i Mumushes përmendej për punën e bërë mirë.

Në vitin 1990, kur ndërmarrja u mbyll, ajo nuk u ndal. Së bashku me një shoqe morën një tezgjah, e vendosën në një dhomë dhe filluan sërish nga e para. Qilima dhe rrugica që u shitën kudo nëpër botë.

Edhe sot, kur sheh dikë që punon, Mumushja thotë: “Të lumshin duart”. Sepse puna ka qenë vlera e jetës së saj. Me të ka rritur fëmijët, me të ka jetuar me dinjitet, pa kërkuar asgjë nga askush./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!