Dalin çdo ditë tek rruga e kalasë për të tregtuar punime artizanale. Por shitje nuk ka. Shumica e artizanëve gjirokastritë ushqehen përmes shitjeve të prodhimeve që realizojnë vetë.
Që kur ka nisur pandemia ata po përballen me vështirësi ekonomike. Enea Marki është një prej tyre. Ka trashëguar nga të parët punimet në gur.
“8 vjet që e ushtroj këtë zanat, jam brezi i tretë. Për herë të parë e ka ushtruar gjyshi. Ne çdo mëngjes jemi çuar me zhurmën e çekiçit dhe në gjak e kemi të lindur, nuk mund të merrnim rrugë tjetër. S’është se fitojmë shumë të ardhura. Po këto dy vjet pandemia na ka lënë prapa”, tregon ai.
Vështirë se ka bashkëmoshtarë të Eneas që zotërojnë këtë zanat. Ai ka dhe një mesazh për politikanët
“Shteti të ketë pak vëmendje për artizanët. Jo vetëm kur kanë votime të cilët fillojnë na bëjnë reklamë. Duhet të jenë më të vëmendshëm”, thotë ai.
Enea gjithashtu tregon se shumë zanate nuk janë trashëguar.
“Janë disa zanate gjirokastrite që s’duhen humbur, si gdhendja e gurit se Gjirokastra është vend me gurë. As puna me dru s’duhet humbur, s’di të ketë ndonjë moshatar i imi që di të punojë me dru. Kanë humbur dhe zanatçinjtë e opingave dhe samarëve. Janë futur prodhime Kinës, puna e dorës nuk paguhet”, thotë ai.
Enea Marki na tregon dhe një ndër punimet e fundit që ka realizuar shumë që ka dhe histori.
“Kjo quhet lule e jetës, është gjetur që në kohën e Egjiptit, është lule shumë e lashtë. Është përdorur dhe për mesazhe për shtatzënat, lind qelizë e parë dhe të tjerat dhe krijohet një fetus, krijohet dhe një fëmijë. Kjo është matematikë, është gjeometri është një gjashtëkëndësh dhe në çdo gjashtëkëndësh lidhet me lule.
Enea përzgjedh dhe gurët mbi të cilat bën art.
“Kam dhe punime në gurë të zinj. I mbaj si shumë të rëndësishme sepse guri është 3 mijë vjeçar”, tregon me pasion i riu.
Kalaja e Gjirokastrës është punimi i fundit i Eneas.
/abcnews.al/