Të arrish të krijosh art me sy. Kjo është historia e një artisteje londineze, e cila ka tërhequr vëmendjen me pikturat e saj, që arrin t’i realizojë nëpërmjet lëvizjes së syve. Sarah Ezekiel u diagnostikua me sklerozë anësore amiotrofike (ALS) në moshën 34-vjeçare, e njohur ndryshe edhe si sëmundja e neuroneve motorike, që e bën atë të paaftë të lëvizë dhe të flasë.
CNN shkruan se falë një sistemi teknologjik nga Tobii Dynavox, artistja filloi sërish të pikturojë duke përdorur pajisjen “Eye Gaze“ që përcjell lëvizjet e saj në kompjuter. Teknologjia që ndjek lëvizjen e syve i jep Ezekielit mundësinë për t’u shprehur artistikisht. Ajo i përshkruan pesë vitet e para pas diagnostikimit me këtë sëmundje si një “shkretëtirë e errët” dhe “shumë e vetmuar”, shkruan abcnews.al.
Sot, ajo as nuk mund të flasë e as të lëvizë, por thotë se “teknologjia e ka bërë jetën time që ia vlen të jetohet”. Teknologjia gjithashtu lejon që ajo të navigojë, të blejë në internet dhe të përdorë rrjetet sociale. “Është e çuditshme se stili im nuk ka ndryshuar. Puna ime nëpërmjet syrit ngjan me atë që kam bërë më parë me duart e mia.”, thotë Sarah.
“Të jesh artist për shkak të teknologjisë ka përmirësuar plotësisht pikëpamjen time për jetën dhe ofroi shumë mundësi të tjera për mua. Unë nuk mund të krijoja me vite dhe është fantastike që teknologjia e ka bërë të mundur përsëri.”, shton ajo. /abcnews.al/