Artistët shqiptarë ‘sfidojnë’ virusin, bëjnë namin me bashkëpunime, kush e mban ‘fronin’

schedule12:52 - 7 Korrik, 2020

schedule 12:52 - 7 Korrik, 2020

Situata e krijuar nga pandemia Covid-19, nuk i ka ndalur artistët shqiptarë pasi kjo verë i ka gjetur më fuqishëm se kurrë. Një sërë bashkëpunimesh por edhe këngë solo janë lançuar, ndërsa të tjera pritet të publikohen së shpejti. Ledri, Dafina, Mozzik, Capital T, Lumi B, Dhurata Dora, Alban Skënderaj, Elgit Doda, Majk, Getoar Selimi e shumë të tjerë janë emrat që po korrin sukses me këngët e tyre, që kanë marrë miliona klikime në Youtube.

Ledri bashkoi forcat me ish-parteren e tij, Dafinën dhe Lumi B për të sjellë hitin “Aman”, këngë e cila shënoi një rekord klikimesh në vetëm pak orë, dhe ndërsa kanë kaluar vetëm 7 ditë ka arritur të marrë më shumë se 3 milion klikime.

Dhurata Dora erdhi me “Ferrarin”, projekt i cili e solli shumë ndryshe këngëtaren shqiptare nga Kosova, dhe që ka gjeneruar deri më tani në Youtube më shumë se 5 milion klikime. Getoar Selimi dhe Majk bashkuan forcat për të disatën herë tashmë dhe sollën “Zhytem”, këngë e cila që kur u publikua me 30 Qershor ka marrë afro 4 milion klikime.

Vetëm pak ditë pas publikimit të “All Dem Talk”, bashkëpunimi i reperit Noizy me Gzuz dhe Dutchavelli që u pëlqye shumë nga publiku, deri më tani numëron rreth 7 milion klikime. “Digital Love” pritet të jetë një tjetër sukses për Noizyn, për të cilën ka paralajmëruar se do jetë një “cunam”.

Capital T është rikthyer fuqishëm këtë verë me disa projekte, pjesë të albumit “Skulpturë”. Mes këtyre këngëve, spikat bashkëpunimi me Ledrin “DMP”, e cila gjithashtu rezultoi një sukses për dy artistët më të suksesshëm të momentit. Që nga publikimi dy javë më parë, ka arritur të marrë në Youtube, më shumë se 6 milion klikime.

Por, kush ka arritur ta mbajë fronin deri më tani? Padyshim, reperi Mozzik i cili më shumë se i kritikuar ka rezultuar i suksesshëm. Kritikat ndaj këngës “Madonna” për shkak të përmbajtjes së tekstit, nuk e kanë ndalur suksesin e reperit, pasi ka tejkaluar çdo parashikim. Në vetëm një javë që nga publikimi, kënga ka gjeneruar më shumë se 10 milion klikime në Youtube.

Por, një rekord akoma më të madh ka shënuar “PP”, bashkëpunimi me Kidën që përfshin dy këngë në një, përkatësisht “Paranoja” dhe “Pishman”. Projekti ka arritur të marrë brenda dy ditëve më shumë se 5 milion klikime, duke thyer kështu një rekord të ri në tregun muzikor shqiptar.

Kompania e të drejtave autoriale, AVD Digital publikoi një ditë më parë rekordin e ri të vënë nga reperi dhe Kida, pasi kënga e tyre është e para në tregun muzikor vendas që ka arritur të marrë 2.6 milion klikime në vetëm 24 orë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!