Arteriet e këmbëve, Dr. Alban Malaj tregon kur duhet të shqetësoheni: Ky është shkaktari kryesor që i dëmton

schedule09:17 - 23 Qershor, 2022

schedule 09:17 - 23 Qershor, 2022

Dr. Shk. Alban Malaj, kirurg vaskular në “Spitalin Amerikan 1”, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku foli për problemet që mund të shkaktojnë arteriet periferike nëse nuk trajtohen në kohë. Dr Malaj shpjegoi se shkaku kryesor i dëmtimit të arterieve periferike është duhanpirja.

“Arteriet periferike shkojnë dhe furnizojnë me gjak të pastër këmbët. Mbajnë gjallë këmbën dhe në momentin që ngushtohen apo bllokohen, gjaku i pastër nuk kalon dhe këmba humb vitalitetin. Në fillim, humb autonominë e ecjes dhe nëse nuk ndërhyhet, shkojnë drejt humbjes së këmbës.

Shkaqet janë të shumta, kryesori është duhanpirja. Duhani është armiku kryesor i çdo arterie. Faktor tjetër është diabeti. Kemi një pandemi botërore të diabetit në këto momente. Një faktor tjetër është hiperkolesterolemia. Vlerat e larta të kolesterolit në gjak krijojnë depozita të arteriet dhe i bllokojnë.

Ka dhe faktorë më pak të rëndësishëm si tensioni i lartë apo jeta sedentare.“, theksoi mjeku duke shpjeguar më pas dhe se si procedojnë në “Spitalin Amerikan 1”. “Vijnë persona diabetikë në situatë kritike që janë dhe kanë filluar të kenë dhe lezione, nxirje, skuqje, dhimbje dhe deri në humbje të gishtave.

Nuk shkon gjaku sepse dëmtimi kryesor fillon tek arteriet që janë një diametër poshtë milimetrit. Këta pacientë, në radhë të parë, fillojnë të ndihmohen me terapinë e duhur si antiagregante dhe hipokolesterolemike. Diabeti duhet të kthehet në vlera normale.

Bëhet një ekzaminim jo invaziv eko-kolordopler, ku shohim se si janë flukset e gjakut në periperi. Nëse shohim segmente ku mund të ndërhyjmë në mënyrë endovaskulare apo kirurgjike, kryejmë një ekzaminim më të detajuar si Angio skaneri që tregon të gjitha arteriet.

Shohim segmentin, për shembull tubin që të çon te zona e kofshës dhe pasi merren masat, pacienti dërgohet në sallë. Angio skaneri na tregon jo vetëm se çfarë mund të bëjmë por dhe çfarë nuk duhet të bëjmë sepse ka pacientë që janë totalisht të bllokuar.

Kështu, nuk ke mënyrë ndërhyrje si kirurgjike dhe endovaskulare. Jep një terapi më të fortë për të rritur fluksin e gjakut në periferi dhe pacienti ndiqet. “, theksoi Dr. Albani. /abcneës.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!