Agjencia Amerikane e Hapesirës, NASA ka ndarë për herë të parë imazhe me rezolucion të lartë të Tokës, të kapura nga ekuipazhi i misionit Artemis II gjatë rrugëtimit të tyre drejt Hënës.
Nasa deklaroi se fotografitë spekatakolare u bënë nga Komandanti I Misionit Reid Wiseman, pas përfundimit të manovrës finale të motorëve që vendosi anijen kozmike Orion në trajektoren drejt satelitit tonë më të afërt.
Fotoja e parë, e quajtur “Hello, World”, tregon shtrirjen e gjelbër-bardhë të Oqeanit Atlantik, të rrethuar nga një hije e hollë e atmosferës, ndërsa Toka e ndriçuar nga Hëna e bën të duket e përmbysur. Në të duket Sahara Perëndimore dhe Gadishulli Iberik në të majtë, dhe pjesa lindore e Amerikës së Jugut në të djathtë. Planeti i ndritshëm në këndin e poshtëm të djathtë është identifikuar si Venusi.
Fotografitë u realizuan pasi ekuipazhi përfundoi me sukses manovrën trans-lunare, në orët e hershme të së premtes, duke nxjerrë Orionin nga orbita e Tokës. Astronautët janë duke udhëtuar mbi 321 mije kilometra drejt Hënës, në një rrugë që do t’i çojë ata rreth anës së largët të Hënës dhe pastaj përsëri drejt Tokës. Ky është udhëtimi i parë njerëzor jashtë orbitës tokësore që nga viti 1972.
Ekuipazhi pritet të kalojë rreth anës së largët të Hënës më 6 prill dhe të kthehet në Tokë më 10 prill. Pas manovrës, astronautët ishin “ngjitur pranë dritareve” duke bërë fotografi, tha specialisti i misionit, Jeremy Hansen, në bisedë me qendrën e kontrollit në Houston. “Po shohim një pamje të mrekullueshme të anës së errët të Tokës, e ndriçuar nga Hëna,” shtoi ai.
Një tjetër pamje e realizuar nga Wiseman tregon Tokën e ndarë në dritë dhe errësirë, ku kufiri midis tyre njihet si terminatori, duke ofruar një perspektivë unike të planetit tonë nga hapësira./abcnews.al


